Dolën luleshtrydhet! Le të bëjmë një sallatë të freskët dhe plot vitamina

Lifestyle

Një filxhan me luleshtrydhe të prera në feta përmban vetëm 46 kalori kundrejt vlerave të larta ushqimore. Nga kjo sasi luleshtrydhesh ne përftojmë 85 mg vitamin C, 23 mg Kalcium, 19 mg magnez, 35 mg fosfor, 220 mg potasium, 10 mcg beta-karotinë dhe shumë vitamin B.
Luleshtrydhet janë veçanërisht të pasura me antioksidantë, përbërës kimikë që mund të ndikojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, disa kancerave dhe sëmundjeve të ndryshme kronike.

Receta e luleshtrydheve me spinaq dhe djathë të bardhë:

Përbërësit për 4 persona:
400 g luleshtrydhe
4 lugë gjelle vaj ulliri
1 lugë gjelle mustardë
2 lugë gjelle lëng limoni
Kripë, piper
100 gr spinaq
Pak sallatë jeshile
200 gr djathë të bardhë

Përgatitja:
Pastrojmë, lajmë dhe thajmë luleshtrydhet, spinaqin dhe sallatën. Copëtojmë sallatën në copa të vogla dhe presim spinaqin imët. Përziejmë 100 gr luleshtrydhe me vajin e ullirit, mustardën dhe lëngun e limonit deri sa të bëhen një masë homogjene. Shtojmë kripë e piper. Pjesën tjetër të luleshtrydheve e ndajmë përgjysmë. Copëtojmë djathin e bardhë në copa të mëdha. Bashkojmë spinaqin, sallatën dhe luleshtrydhet në një tas të madh dhe u hedhim sipër salcën e përgatitur. I përziejmë sëbashku dhe shtojmë sipër copat e djathit.