Diabeti është një gjendje shëndetësore serioze, i cili po nuk u trajtua, mund të çojë në sëmundjet e zemrës, verbëri, mosfunksionim veshkash dhe komplikime të tjera që rrezikojnë jetën.
Vitet e fundit diabeti është bërë një nga sëmundjet më të frikshme, me tendencë të lartë për të prekur edhe moshat e reja. Mosushqyerja në mënyrën e duhur, ushqimet me hormone, jeta sedentare, si dhe një mori arsyesh të tjera, kanë bërë që numri i diabetikëve të arrijë nivele të larta, edhe pse nuk kemi ende raportime të sakta nga institucionet shtetërore përkatëse.
Çfarë është diabeti, cilët janë shkaktarët?
Diabeti i sheqerit (diabetes mellitus) është një çrregullim metabolik, që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve (sheqernave), yndyrave dhe proteinave. Ky çrregullim apo më mirë të themi, kjo sëmundje vjen si pasojë e defektit të sekretimit të insulinës, të veprimit të saj, të dyjave bashkë ose mungesës së plotë të sekretimit të insulinës, i cili është një hormon, që me të drejtë konsiderohet çelës për futjen e glukozës në qelizë. Prandaj, kur merren në konsideratë të gjitha këto karakteristika të këtij çrregullimi, mund të themi që organizmi tek diabetikët nuk funksionon normalisht, pikërisht për të gjitha ato që thashë më lart, rreth veprimit të insulinës, hormon që sekretohet normalisht nga pankreasi.
Kjo sëmundje dëmton sytë, zemrën; preken vazat e vogla dhe të mëdha të gjakut, nervat, pastaj preken organe të tjera tepër të rëndësishme për organizmin tonë, siç është veshka dhe truri. Të gjitha këto dëmtime në organe dhe sisteme organesh, vijnë si rezultat i rritjes së sheqerit në gjak, nga mosmbajtja nën kontroll e kësaj sëmundjeje, e cila 50% është e varur nga vetëkujdesi, që duhet të bëjnë pacientët diabetikë në marrjen e ushqimit të shëndetshëm, aktivitetin e rregullt fizik, terapinë personale, si dhe nëse është e nevojshme marrja e rregullt e insulinës.
Ndryshoni stilin e jetës!
Përderisa ata janë të diagnostikuar me sëmundjen e diabetit, sa më herët të binden që duhet t’i përshtaten kërkesave për ndryshimin e stilit të jetës, aq më mirë. E kur jemi te ky ndryshim i stilit të jetës, mendoj për marrjen e ushqimit të shëndetshëm, aktiviteti i rregullt fizik çdo ditë ose të paktën 2-3 herë në javë (këtu e kam fjalën për aktivitete të ndryshme fizike, ose së paku ecja e 2-3 herë në javë, minimalisht 20 minuta), kontrolli i rregullt i glikemisë, si dhe marrja e vazhdueshme e terapisë së diabetit. Ndërsa, personat të cilët nuk janë të sëmurë nga diabeti, por janë në rrezik të madh për të zhvilluar sëmundjen, këtu e kam fjalën për personat me mbipeshë dhe obezë, ata me histori familjare për diabet duhet gjithashtu të kenë kujdes, duke e ndryshuar stilin e tyre të jetës, pra të marrin ushqim të shëndetshëm dhe të praktikojnë aktivitet të rregullt fizik, në mënyrë që të mos e fitojnë këtë sëmundje, ose të paktën të zgjasin kohën e fillimit të saj.