Spinaqi është një nga perimet kryesore të shportës së janarit, e për fatin tonë të mirë mamatë dhe gjyshet shqiptare kanë ditur të gatuajnë gjithmonë pjata të shijshme me të. Mirela ju sugjeron që sot të provoni një recetë tejet interesante për darkën e sotme: spinaq në furrë me kërpudha dhe proshutë.
Përbërësit:
500 g spinaq
300 g kërpudha
1 qepë e kuqe
100 g pançetë
500 ml beshamel
100 g djathë kaçkavall
kripë, piper, gjalpë
Përgatitja:
Skuqim pançetën në tigan, derisa të humbasë të gjithë yndyrën,
shtojmë qepën e prerë hollë dhe vazhdojmë kaurdisjen. Pastrojmë dhe presim kërpudhat në feta dhe i shtojmë te qepa dhe pançeta. Në fund, hedhim spinaqin e prerë dhe e gatuajmë derisa të ulë volumin. Lyejmë një tavë me gjalpë,
shtrojmë pak beshamel, spinaqin, djathin e copëtuar, përsëri beshamel dhe sipër tij djathë dhe e pjekim për 20 minuta në temperaturën 200 gradë Celsius.