Cinnamon Rolls në kushte shtëpie

Lifestyle

Përbërësit për 12 copë:

200ml qumësht 60g gjalpë 1 bustinë maja birre të thatë (10g) 60g sheqer 380g miell 00 1/4 lugë kafeje kripë ½ vezë (rrahim të bardhën me të verdhën me pirun dhe përdorim gjysmën e saj)

Për mbushjen:

100g gjalpë në temperaturë ambienti

50g sheqer kaf 1 lugë të vogël kanellë

Sipas dëshirës: arra të thërrmuara, rrush i thatë, copa çokollate etj.

Na duhet gjithashtu: një e verdhë veze e rrahur me 1 lugë qumësht për t’i lyer përpara se të piqen në furrë.

Për dekorim:

sheqer pluhur 2-3 lugë ujë

Përgatitja:

1- Në një tas të vogël shkrijmë majanë e birrës me 2 lugë ujë të vakët dhe e lëmë të pushojë për 5 minuta derisa të jetë shkrirë plotësisht majaja.

2- Në një tenxhere me flakë të ulët, ngrohim qumështin bashkë me gjalpin (60g). E heqim dhe e lëmë të vakët në temperaturë ambienti.

3- Në një tas përziejmë miellin, kripën dhe sheqerin me një pirun. Hapim një gropë të vogël në mes dhe hedhim në përzierjen e mësipërme gjalpin, qumështin dhe majanë e tretur. Përdorim një lugë druri dhe fillojmë ta përziejmë derisa të kemi një masë kompakte. E transferojmë brumin në tavolinë të spërkatur me miell dhe punojmë brumin derisa të bëhet elastik. Nëse është nevoja shtojmë pak miell. E vëmë në një tas të lyer me pak miell, e mbulojmë me plastmasë kuzhine dhe e lëmë të pushojë në një ambient të ngrohtë për 1 orë afërsisht, ose derisa të jetë dyfishuar vëllimi i brumit.

4- Pas kësaj kohe ndezim furrën në 220°C. Në një tas përziejmë gjalpin, (100g), sheqerin kaf, kanellën, derisa të kemi një masë homogjene. Me petës dhe pak miell hapim brumin me trashësi 3mm në formë drejtkëndëshi të ngushtë. E lyejmë petën sipër me kremin që kemi përgatitur, shpërndajmë fruta të thata sipas dëshirës. Rrotullojmë brumin si role dhe me thikë e presim në 12 pjesë të cilat më vonë i vëmë pranë njëra-tjetrës në një tavë të lyer më parë me gjalpë e miell. I lyejmë sipër me të verdhë veze të rrahur me pak qumësht, me ndihmën e një peneli.

5- Ulim temperaturën e furrës në 190°C dhe pjekim girellat për 20/25 minuta. Në një tas përziejmë 2-3 lugë ujë me sheqer pluhur derisa të kemi një krem të bardhë me të cilin do të spërkasim sipër kanellat kur ato të jenë të vakëta. I shërbejmë menjëherë.