Njësoj si ndryshojmë garderobën, ka ardhur momenti për të ndryshuar edhe përmbajtjen e frigoriferit.
Që nga data 22 shtator, ora 16:21, jemi zyrtarisht në vjeshtë. Një stinë që do të zgjasë deri në 21 dhjetor dhe që i ka ndryshuar ngjyrën frutave dhe perimeve duke na sjellë karakteristiket e stinës. Ka ardhur momenti t’i themi mirupafshim shalqirit, pjeprit dhe kastravecit për të ngrënë, ndër të tjera, shegë, kungull dhe mollë.
Iu sjellim edhe një herë në vëmendje ushqimet e stinës që tani mund t’i gjeni në cilësinë e tyre më të mirë, si edhe me çmimet më të favorshme.
Lakrat
Ky është sezoni i lakrave. Lakra e bardhë, lakra e kuqe, lulelakra dhe brokoli do të shndërrohen në protagonistet e pjatave tona. Nëse nuk të pëlqejnë shumë, përpiqu të provosh me mënyra të tjera gatimi.
E preferuara jonë është lakra e kuqe. Mund ta shoqëroni me mollë, rrush të thatë, arra dhe uthull Modena.
Agrumet
Megjithëse janë të pranishme në treg gati në çdo moment të vitit, ka shumë dallim në shije midis një portokalli qershori dhe një portokalli tetori. Ëmbëlsia e tyre rritet me uljen e temperaturave. Gjithashtu fillojmë të takojmë mandarinat e para, pak të turpshme dhe të gjelbra në fillim, për t’u shndërruar në mbretëreshën e tavolinës andej nga nëntori.
Mënyrat se si mund t’i përdorim agrumet janë të pafundme: nga të freskëta deri në ëmbëlsira dhe sallata.
Mollët
Ndoshta nga mbipërdorimi, e kemi humbur emocionin për mollët. Por, nuk duhet të harrojmë që ky frut është i pasur me pektina, aminoacide, fibra dhe elementë si kalciumi, hekuri apo kaliumi.
Versionet më acide, si Granny Smith, janë për t’i përdorur krudo ose si pjesë e sallatave. Ndërsa mollët e verdha, me teksturë më të brumtë, janë perfekte për komposto dhe marmalata. Me varietetet e kuqe, më të mishta, mund të bëhet praktikisht çdo gjë, që nga garniturë për mishrat deri në tartë me mollë.
Kërpudhat
Pjesa më e madhe e kërpudhave të egra kanë epokën e tyre të artë tani.
Hurmat
Qoftë versioni farëzezë, qoftë versioni i butë. Me hurmat e buta mund të përgatitet që nga daikiri deri në marmalata me pak sheqer. Ndërsa farëzezat, më mirë i konsumojmë krudo.
Shega
Mbretëresha e vërtetë e stinës. Jo vetëm e shijshme, por shumëpërdorimshe. Përdoret si pjesë e sallatave, shoqëruese e peshkut dhe për t’i dhënë shije ëmbëlsirave.
Gështenjat
Era e gështenjave të pjekura që pushton shtëpinë mund të krahasohet me pak gjëra të tjera. Na rikthen drejt e në fëmijëri.
Gjithashtu, kohët e fundit gështenja po përfshihet gjithmonë e më tepër në kuzhinë, si garniturë, në trajtën e kremërave apo në ëmbëlsira.