Brownie me çokollatë të zezë dhe fruta pylli

Lifestyle

PËRBËRËSIT për një tavë drejtkëndëshe 23×20 cm:

350 g çokollatë e zezë e grirë në thërrime të vogla, 160 g sheqer, 160 g gjalpë, 80 g miell Tip 00, 4 vezë, një majë thike kripë, 6 lugë Mascarpone ose pana për ëmbëlsira, ose
3 lugë pana e 3 lugë Mascarpone, 200 g fruta pylli të freskëta ose të ngrira.

PËRGATITJA:

Ndezim furrën në temperaturën 180° C. Shkrijmë çokollatën
në një tenxhere në banjëmari. E heqim nga zjarri dhe shtojmë gjalpin të prerë në kubikë, sheqerin, kripën, vezët, miellin dhe i përziejmë me shpejtësi me rrahësen e vezëve me dorë. Hedhim brumin në tavën e lyer me gjalpë e miell, trashësia e të cilit duhet të jetë jo më shumë se 3 cm. E pjekim për 20 minuta; brenda duhet të ngelet pak i lagësht. Më pas e lëmë të ftohet mirë përpara se të shpërndajmë kremin. Pak para se ta shërbejmë përgatisim kremin: përziejmë mirë me pirun Mascrpone-n që të bëhet më kremoz dhe e shpërndajmë me lugë mbi brownie, i vëmë përsipër disa fruta pylli dhe e spërkasim me pak sheqer pluhur. Nëse do të përdorni pana dhe Mascarpone i rrahim të dyja me rrahësen elektrike, derisa të bëhen si krem.