Moda e sotme nuk përbëhet vetëm nga modele anoreksike që sfilojnë, dhe as nga stilistë të paarritshëm që nëpërmjet punës së tyre shpesh kanë qenë të pakapshëm me konceptet mbi modën. Sot, kjo fushë është më e thjeshtë, më e prekshme, më popullore. Sektori i modës dhe marketing tashmë ecin në të njëjtin binary duke krijuar një ekuilibër e duke na bërë të ëndërrojmë rreth koleksioneve të pasarelave pa shpenzuar shifra marramendëse.
Ndërkohë që mjaft stilistë prezantojnë punimet e tyre jo vetëm nga modele, por edhe nga fashion blogere, të cilat arrijnë të përcjellin mjaft mirë në çdo kohë, prezantimin e një tendence të re në treg. Një ndër këto fashioniste që ka mjaft ndikim në fushën e modës është edhe bukuroshja nga Prizreni, Edisa Shahini, e cila prej vitesh jeton në Vjenë. Si në daljet e saj në Instagram, ashtu edhe në blog, ajo shquhet për foto të punuara mjaft mirë si dhe për mënyrën sesi me një elegancë femërore përqafon çdo hyrje të re duke e bërë të vetën. E kush më mirë sesa Edisa mund të ndante me miqtë e Living disa këshilla mode?
1. Nuk ke nevojë të harxhosh shumë para
Sot, çdokush ka mundësi të duket shik, sepse tregu ofron veshje të bukura në çdo nivel apo kategori çmimesh.
2. Jini të sigurta për blerjet tuaja
Nuk ka rëndësi nëse është një T-shirt i lirë apo një çantë e shtrenjtë. Blini vetëm atë çka ju bën të lumtur dhe është e kohës.
3. Nuk keni nevojë për miratimin e tjerëve
Mos mendoni aspak çfarë thonë të tjerët për ju! Mos kini frikë të shkelni kufijtë! Transmetoni këtë frymë në veshjet tuaja, duke veshur atë që ju doni, jo vetëm atë që është tendencë e fundit. Mjafton që të ndiheni rehat me rrobat tuaja.
4. E zeza shpëtimtare
Në qoftë se jeni në dyshim çfarë ngjyre të zgjidhni, vishni gjithmonë ngjyrë të zezë dhe do të dukeni shik.
5. Gjithçka është imazh
Unë besoj që stili vjen nga gjithë imazhi: flokët, grimi, manikyri, pedikyri, parfumi, aksesorët. E tëra kjo zbukuron pamjen duke e bërë atë sa më elegante.
6. Shpreh vetveten
Stili është mënyra më e mirë për të shprehur veten dhe personalitetin tuaj. Unë besoj se rrobat duhet të shprehin jo vetëm personalitetin, por edhe pikëpamjet, opinionet dhe idetë. Ndjenja juaj e modës duhet të reflektojë ndjenjën tuaj për botën përreth jush.
7. Ndihuni rehat me veshjen tuaj
Vishni rroba që ju bëjnë të ndiheni shkëlqyeshëm, rregulloni flokët dhe grimin, vishni taka gjatë ditës. Ndihuni të sigurta dhe pamja juaj do të jetë madhështore.
Burimi: Living.al