5 ushqimet e domosdoshme të janarit

Lifestyle

ushsqimetedmri

Siç e kemi thënë e rithënë në artikujt e mëparshëm, periudha e pas festave duhet të konsiderohet si një periudhë rizgjimi për organizmin. Ashtu si përcaktojmë synimet për vitin e ri, duhet të vendosim disa objektiva edhe për organizmin tonë. Dhe për ta arritur këtë , duhet të përcaktojmë një regjim ushqimor të balancuar. Sigurisht që çdo organizëm ka nevojat e tij specifike, por Living ju ofron një shportë të pasur që nuk mund të mos ju tundojë.

• Preshi : Preshi është një perime tipike dimërore, i pasur me vitaminë C, hekur dhe fibra. Njihet për vetitë e tij diuretike, laksative dhe anti-septike. Të gjitha këto e bëjnë ushqimin ideal për të luftuar anemitë e ndryshme, infeksionin urinar , bronkitin, gurët në veshka dhe për të ulur nivelin kolesterolin e keq në gjak. Preshi është shumë i shijshëm , ju mund ta hani në supë dhe gjellë, por edhe të pagatuar.

• Rrepat : Fatmirësisht rrepat gjenden në tregun shqiptar gjatë gjithë vitit, por studiuesit e ndryshëm rekomandojnë konsumin e tyre kryesisht gjatë dimrit. Në këtë periudhë mund të gjeni rrepa më të shijshme dhe të freskëta. Janë të pasura me vitaminë C, fosfor, fibra, vitaminë B6, kalcium, magnez dhe potas. Që të ruani të gjitha vlerat e saj ushqyese , këshillohet që rrepa të hahet e pagatuar.

• Lakra jeshile : Vite më parë nuk dihej pothuaj asgjë për lakrën jeshile, por studimet e shumta kanë treguar që është një perime e shkëlqyer. Lakra është e pasur me vitamina C, A dhe K, fibra dhe squfur. Konsumi i lakrës forcon sistemin imunitar dhe mëlçinë. Është e dobishme për pastrimin e organizmit. Lakra përmban zeaksantinë dhe karotenoidë natyralë që mbrojnë shikimin.

• Kivi : Kivi është i pasur më fibra dietike dhe është një zgjedhje shumë e shëndetshme për diabetikët pasi ndihmon në kontrollin e nivelit të sheqerit. Është i njohur si një furnizues i shkëlqyer i vitaminave C dhe K. Është i dobishëm në parandalimin e kollitjes, astmës dhe problemeve me jashtëqitjen (konstipacionin).

• Mandarina : Konsumi i rregullt i mandarinës rregullon qarkullimin e gjakut, përmirëson funksionimin e zemrës, ul nivelin e kolesterolit të keq dhe shërben si një antioksidant i fuqishëm për organizmin. Vlen të ritheksojmë që mandarinat përmbajnë vitamina A dhe C, magnez, kalcium, kalium dhe fibra dietike.

Living