Më 11 shkurt të vitit 1920, Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë pas një vendimi të marrë në Kongresin e Lushnjes. Në të vërtetë, ndërtesat qeveritare ndodheshin në Durrës, por ky i fundit ishte i pushtuar nga italianët, prandaj Kongresi shqyrtoi mundësi të tjera.
Qeveria shqiptare drejtuar nga Sulejman Delvina u vendos në ndërtesën e parë që ndodhej në fillim të rrugës së Elbasanit. Tirana në atë kohë ishte pa rrugë të shtruara dhe pa qendër të vërtetë dhe plani i parë rregullues u bë në 1923 nga arkitektët austriakë. Formën që kemi dhe sot, kryeqytetit ia dhuruan dy arkitektët italianë, të cilat konceptuan të gjitha ndërtesat qeveritare që ndodhen rreth Sheshit Skëndërbej.
Që prej atij viti Tirana ka pësuar ndryshime të mëdha në varësi të sistemeve politike apo regjimeve gjatë të cilave është udhëhequr. Përpos ndërtesave të cilat u shndërruan nga sistemi komunist, një tjetër goditje të madhe kryeqyteti e mori mbas viteve ’90, kur popullsia e tij u trefishua, sikurse ndërtesat të cilat e dhunuan arkitekturën apo identitetin karakteristik duke e shndërruar në një qendër të zhurmshme dhe të lodhshme. Tranzicioni i gjatë, i vazhdueshëm dhimbshëm dhe i lodhshëm ka lënë shenja të veçanta në jetën e qytetit dhe banorëve të tij, por Tirana përsëri tërheq, si magnet.
Prandaj shijoni këtë përmbledhje fotosh nga të Tiranës dje dhe sot.