Kush nuk e kishte tashmë e ka. Ai që e kishte, tashmë e menaxhon me vështirësi. Ankthi, me shumë mundësi është ndjenja më e përhapur në këtë moment historik dhe absurd të karakterizuar nga virusi corona Covid-19.
OBSH ka deklaruar gjendje pandemie, qeveria ka marrë masa drastike për të minimizuar përhapjen e virusit, Shqipëria është e izoluar dhe operatorët e shëndetësisë janë të lodhur. Skenari është ende apokaliptik dhe është e vështirë të shohësh dritën në fund të tunelit.
Megjithatë menaxhimi i ankthit është i rëndësisëhm në një moment kur njerëzve u kërkohet të jenë më të logjikshëm, më të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm. Ankth nga infektimi, ankth nga humbja e punës, ankth nga izolimi, ankth se do të mbarojnë ushqimet. Nuk mund të lejojmë që frikat tona më të mëdha të marrin kaq shumë hapësirë në mendjen tonë. Nuk duhet të ndjekim narracionin distopik të mëndjes tonë. Shumë mirë, por si ?
E kemi biseduar me sociologen Marsida Simo, kandidate për PHD e cila sjell për Living disa sugjerime praktike duke na kujtuar të mos ngatërrojmë ankthin me depresionin.
-“Në këtë periudhë të vetë izolimit, në kushte jetese aspak të zakonshme, shumë persona kanë përjetuar apo vazhdojnë të përjetojnë ndjenja dhe emocione nga më të ndryshme, shpesh herë të përziera me pasiguri, dhe ankth. Jo të gjithë i marrin këto ditë me sportivitet, pasi ka edhe persona te të cilët ankthi sa vjen dhe bëhet më mbytës me dëshirën e vetme që e gjitha kjo të mbarojë sa më shpejt” – thotë profesionistja.
Por kujdes, nuk duhet nuk duhet ngatërruar me depresionin. Çrregullimet e depresionit dhe ankthit nuk janë të njëjta, megjithëse mund të duken në pamje të parë shumë të ngjashme.
Marsida na shpjegon: “Një person që përjeton ankth, ndjen më së shumti frikë, ose panik në situata të caktuara ku një pjesë e njerëzve të tjerë nuk do të ndjehen të shqetësuar. Nga disa përjetime të vogla, ky ankth mund të bëhet pjesë e ditës, i vazhdueshëm dhe bezdisshëm duke ndaluar së bëri aktivitetet rutinë. Nëse kjo periudhë zgjat në kohë mund të kufizojë aftësinë e një personi për të punuar, për të krijuar marrëdhënie me të tjerët, apo të përballuar situata të thjeshta.
Ndërkohe: “Depresioni shoqërohet me emocione të tilla si dëshpërimi, zemërimi, pa dëshirë për të kryer veprime qoftë ato më të thjeshta. Marrëdhëniet me të tjerët sa vijnë edhe zbehen në një dëshirë për tu izoluar, pa harruar edhe çrregullimin e gjumit, të ngrënit, vështirësisë në përqendrim etj.”
Kushdo i cili ka pasur ndryshime emocionale këto kohë dhe nuk po vetë qetësohet, duhet të konsultohen me një specialist. Çdo kush duhet të kuptojë se të kesh emocione, përjetime negative, apo ankth, nuk është turp dhe as nuk na heq vlerat njerëzore. Çdo kush është i veçantë dhe në mënyrën e vetë do gjejë mekanizmat për t`ja dalë mbanë. Ndiqni sugjerimet praktike që mund të zbatoni menjëherë, që sot. Zbulo aftësitë. Kjo periudhë mund të jetë një kohë shumë e mirë për të zbuluar veten, një aftësi të lënë për gjysmë apo diçka të re. Çdo kush ka një potencial dhe shpesh janë periudhat e vështira në jetë të cilat i nxjerrin në pah. Shumica e personave që sot i shohim në arritje profesionale, kanë pësuar disfata të shumta dhe ia kanë dalë.
-Krijo grupin tënd Rrjetet sociale kanë grupime nga më të shumtat që të ofrojnë mundësi të antarsohesh sipas interesave të caktuara. Madje ka shumë profesionist që japin leksione falas (Joga, zumba, meditim etj.) Edhe nëse nuk ka një grup që ti ke në mendje, përse mos ta hapësh një të tillë. Shfokusohu Që në momentin e parë që nisin mendimet e këqija dhe po ju bllokohet frymëmarrja, lëvizni nga ajo dhomë, bëni diçka tjetër duke u shfokusuar. Bëjini lojë mendjes tuaj duke gjetur alternativa të tjera me të cilat mund të merreni. Zbrazu Mos i mbani përbrenda përjetimet duke i akumuluar. Kur i ndani me të tjerët ju dëgjoni veten tuaj duke shpjeguar mirë problemin që keni dhe kuptoni më qartë çfarë po ndodh. Ena e mbushur me aciditet mund të gërryejë veten, ndaj zbrazeni dhe lirohuni. Kërko ndihmë Nëse e sheh që situata po vështirësohet dhe nuk po ia del dot është shumë në rregull të kërkosh ndihmë tek miku, partneri dhe patjetër tek një psikolog.