Ajo është ndër fotot më të njohura të gjeniut të fizikës, si të ishte një personazh komedian e jo njeri i ftohtë i shkencës.
Fotografia i përket ditëlindjes së 72-të të fizikanit të famshëm. Konkretisht, miqtë dhe kolegët përgatitën një festë në 14 mars 1951 në Klubin Princeton.
Aty, Ajnshtajni takoi fotografin profesionist Arthur Sasse, i cili i bëri disa foto.
Festës i erdhi fundi dhe profesori i lodhur u drejtua drejt makinës. Sasse iu përgjërua edhe për një foto tjetër. Ajnshtajni reagoi ndaj tij duke i nxjerrë gjuhën me humor dhe kështu u krijua fotoja e famshme.
Arthur Sasse i dërgoi disa kopje të të gjitha fotove që kishte realizuar në festë dhe Ajnshtajni menjëherë “u dashurua” me foton tani legjendare, duke porositur nëntë kopje.