Chris Gough, anestezist, ndau me ndjekësit e tij në Twitter përvojën e tij me Covid-19 dhe rrugën drejt shërimit.
Dita e parë – “Ethe dhe lodhje. Dridhesha dhe djersija gjatë gjithë kohës. Isha jashtëzakonisht i lodhur, më dhimbte gjithë trupi. Temperatura qëndronte rreth 38.5 gradë celcius. S’kisha fare oreks. Nisa të kollitesha pasdite. S’ishte kollë e fortë dhe as e shpeshtë. Tek tuk, sa për të më kujtuar se mushkëritë s’i kisha mirë.”
Dita e dytë – “Zero energji. Shtrirë gjithë ditën. Djersija dhe dridhesha, por jo si një ditë më parë. Kolla u shpeshtua. Nisi të më dhimbte koka, trupi më dhimbte i gjithi dhe ndihesha i dobët. Aspak oreks. Në darkë u përmirësova.”
Dita e tretë – “Ndihem më keq. Koka më dhemb më shumë dhe jam më i lodhur. Kollitem më rrallë. Oreksi po kthehet, por jo si më parë. Kam fjetur shumicën e ditës dhe kur s’kam fjetur, kam qëndruar shtrirë.”
Dita e katërt – “I lodhur dhe pa oreks. Kolla është goxha më e rrallë. Koka më dhemb, por po bëhet më mirë. Më dhembi gjithë trupi, s’bëj dot asgjë.”
Dita e pestë – “Akoma i lodhur. Koka s’më dhemb më. Më është kthyer 1/2 ose 2/3 e oreksit. S’kam pikë dëshire të ngrihem në këmbë apo të dal nga shtëpia.”
Dita e gjashtë – “Ndihem pak më mirë. Më zuri gjumi në divan. Vijoj të jem i lodhur dhe të mos kem energji. S’dua të dal nga shtëpia.”