Shqiptarët të parët në Europë për martesa; lezhjanët thyejnë rekordin

Kuriozitete

Shqiptarët nuk e kanë humbur ende besimin te martesa, duke qenë vendi me numrin më të lartë të martesave në raport me popullsinë.

Në vitin 2018, për çdo 1000 persona që jetojnë në Shqipëri, u lidhën 8.1 martesa. Së bashku me martesat që janë lidhur nga shqiptarët e Kosovës, thyejnë rekordin në Europë dhe rajon për numrin më të lartë të tyre.

Sipas Eurostat, në Kosovë u lidhën 9.6 martesa për çdo 1000 banorë, thuajse dyfishi i martesave që janë lidhur në të gjithë Bashkimin Europian. Eurostat raporton se në vitin 2018, kishte 4.4 martesa për 1000 banorë.

Në Shqipëri, rekordi thyhet nga lezhjanët, korçarët dhe tiranasit “nuk duan angazhime”

Në Shqipëri, qarku me numrin më të lartë të martesave është Lezha. Sipas përllogaritjeve të Monitor, në 2018-n u lidhen 11.2 martesa për 1000 banorë. Martesat ishin më të larta se mesatarja e vendit edhe në Qarkun e Beratit, ku në 2018-n kishte 9.9 martesa për 1000 banorë, ndjekur nga Dibra me 9.4 martesa, Fieri 8.8 martesa, Elbasani me 8.5 martesa, Durrësi me 8.4.

Nga ana tjetër, qarku me numrin më të ulët të martesave në raport me popullsinë është Korça. Sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat e INSTAT për numrin e martesave dhe popullsinë sipas qarqeve, në Korçë u lidhën vetëm 6.5 martesa për çdo 1000 banorë që jetojnë atje. Edhe pse është qarku me numrin më të ulët në vend, sërish numri i martesave në Korçë është më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.

Pas Korçës, Tirana është qarku i dytë me numrin më të ulët të martesave. Në Tiranë është përqendruar thuajse një e treta e popullsisë së vendit, por me sa duket, kryeqytetasit nuk besojnë aq shumë te martesa në krahasim me rrethet.

Europa Perëndimore po i largohet martesës

Në vitin 2018, vendet e Bashkimit Europian me numrin më të madh të martesave në raport me popullsinë ishin Qipro (7.8 martesa për 1 000 banorë), Rumania (7.4), Lituania (7.0) dhe Letonia (6.8). Këto ndiqen nga Malta (5.8), Sllovakia (5.7) dhe Danimarka (5.6).

Nga ana tjetër, vendet me nivelin më të ulët të martesave ishin rreth 3 martesa për 1 000 banorë, të cilat u raportuan në Luksemburg (3.1), Itali (3.2) dhe Portugali (3.4), pasuar nga Spanja, Franca (të dhënat e vitit 2017) dhe Sllovenia (të gjithë 3.5) .