Me shumë elegancë e profesionalizëm, producentët turq ia kanë dalë ta shtrijnë
invazionin e tyre nëpër botë. Mjafton të thuash që në 2-3 vitet e fundit serialet turke kanë filluar të gjejnë treg edhe në Amerikën Latine, që për dekada të tëra ka qenë tregu kryesor i prodhimit të telenovelave apo serialeve. Ka gati një vit e gjysmë që serialet turke janë future edhe në Amerikë. Fillimisht, në kanalet dygjuhëshe, amerikano-spanjolle, dhe pastaj, nëpërmjet tyre, dashje pa dashje janë dubluar edhe në spanjisht. Kështu, depërtuan lehtësisht edhe në Amerikën Qendrore. “Sky Italia” ka blerë pesë tituj, të cilët janë transmetuar e po shfaqen për publikun italian. Ndërsa “Stina e qershive”, e blerë dhe e transmetuar nga “Tring” sezonin e shkuar, po shfaqet aktualisht në “Mediaset”. Aq të tërbuar janë italianët pas këtij seriali, sa Maria de Filipi i ka ftuar aktorët e tij tre herë në programin e saj. Të shesësh gjashtë tituj serialesh turke në Itali, është një sukses i jashtëzakonshëm për këtë industri.
A na ka cenuar Turqia në “ripushtimin” e saj?
Të shumtë janë ata që nuk e kanë provuar “karremin” turk, ose nuk kanë rënë pre e tij edhe pasi kanë parë ndonjë seri. Shumë i cilësojnë këto seriale një lloj prapambetjeje në kulturë e zakone, e shumë i gjejnë tepër dramatike.
Sevim Arbana, aktiviste në çështje sociale, radhit një sërë arsyesh përse këto seriale gjykohen negativisht, por gjithsesi nuk është aq radikale sa të shpallet kundër tyre. “Unë ngre pyetjen: ‘Pse kaq shumë telenovela e seriale?’ Në kanalet kryesore gjeneraliste në vend të mbysin telenovelat dhe serialet, por edhe në platforma i gjen me shumicë, – shprehet zonja Arbana. – Për mendimin tim, mund të japin më shumë filma hollivudianë apo filma të fundit. Fatkeqësisht, ky po kthehet në një fenomen global. Duke folur me një mikun tim grek, më tregoi se në Greqi mbyllen dyqanet e pezullohen aktivitetet, se të gjithë shohin serialet turke. Imagjinoni pak kontekstin historik midis këtyre vendeve, – shpjegon aktivistja e shoqërisë civile. – Megjithatë, serialet turke ndiqen edhe në Amerikën Latine. Në masë të gjerë, ato kanë ndikim pozitiv, sepse përcjellin moral të fortë, forcojnë familjen, ulin kriminalitetin, por është edhe ana tjetër e medaljes: jeta të duket si telenovelë, sepse fillon të jetosh me të. Ka njerëz që i përjetojnë shumë ato histori. Unë kam pasur një avokat në zyrë, – rrëfen zonja Arbana, – i cili në një orë të caktuar ikte të shihte serialin që ndiqte. E keqja është se, kur teprohet, bëhet problem. Unë punoj pa orar, sepse puna ime është e tillë. Pas saj, dua të dal apo të shëtis nga liqeni dhe thërras mikeshat e mia. Shumë prej tyre, nga ora 18:00-20:00, edhe sikur t’i vrasësh, nuk dalin nga shtëpia, se shohin serialet. Ky është problem, sepse krijon varësi dhe bëhesh antisocial. Ideja është të jesh i lirë të programosh kohën tënde dhe ditët të mos i ngjajnë njëra-tjetrës, – thotë, por nga ana tjetër rrëfen se edhe ajo sheh seriale, vetëm se pa e lënë veten të krijojë varësi prej tyre. – Nuk mund të them që jam kundër, sepse nuk mund të jesh kundër diçkaje që në fund të fundit nuk është një fenomen yni, por mbarëbotëror.
Para disa vitesh, në kanalin ‘Euro News’, kam ndjekur një analizë të gjatë të një studiuesi social nga Amerika Latine, që thoshte se telenovelat dhe serialet ndikojnë gjerësisht në mënyrë pozitive. Ai përmendte se në vende të caktuara të Amerikës Latine, kriminalistika dhe divorcet kishin shifra vërtet problematike, por, pesë vitet e fundit, mbi të cilat ai kishte mbështetur studimin e tij për telenovelat, kishte pasur një rënie drastike të krimeve dhe divorceve. Pse?
Sepse niveli kulturor i masës që shikon telenovelat dhe serialet është i diskutueshëm.
Jo se ka një matës se kush i shikon ato, sepse i shohin të gjitha kategoritë, por dihet që më shumë i ndjekin shtëpiaket dhe të papunët. Plus që mjafton të shohësh një apo dy episode të një seriali a telenovele dhe krijon varësi. Është si droga, si alkooli. Serialet turke, spanjolle, amerikane kanë një ndryshim të madh midis tyre. Telenovelat amerikane kanë një falsitet që nuk shihen, ato spanjolle e latine kanë një kulturë aq jashtë realitetit, saqë në to ndodhin ca çudira që në fund zgjidhen me një ngjarje tjetër të çuditshme, si me ‘Deus Ex Machina’ (Zoti zbret me makinë), si zgjidhjet fiktive të letërsisë së shek XIX, ku djalli bëhet engjëll dhe anasjelltas, pa një logjikë.
Për mua, nga aq sa kam parë, serialet turke shkojnë me mentalitetin tonë dhe kjo është arsyeja pse ndiqen kaq shumë, por kanë një lloj drame, që e rëndon teleshikuesin”. Sevim Arbana tregon se për herë të parë ka rënë në kurthin e një seriali historik turk “Sulltani i Madhërishëm”, personazh për të cilin kishte lexuar edhe më parë dhe kishte parë edhe një dokumentar, dhe seriali nuk e zhgënjeu aspak. “Ai serial më ndryshoi përshtypjen për këto prodhime, – deklaron ajo. – Tani ndjek ‘Nusja nga Stambolli’. Nuk e kam ndjekur nga fillimi, por më pëlqen, sepse më tërheq ideja e luftës për të ruajtur familjen tradicionale, duke e transplantuar brenda familjes moderne. Është një serial bashkëkohor e modern. Plus që efektet e tij dhe në përgjithësi të serialeve turke janë shumë të mira: aktorët, ambientet, muzika, situatat, skenari. Kam parë edhe disa seri nga ‘Flakë Pasioni’, – shton zonja Arbana.
– Oh, çfarë personazhesh janë! Shumë, shumë simpatikë. Janë aktorë kalibri,” – përfundon aktivistja e shoqërisë civile, e cila sado që gjen argument për të mos rënë në grepin e prodhimeve të gjata televizive, sërish është bërë ndjekëse e tyre, sepse cilësia e prodhimit dhe çdo detaj tjetër i futur me aq profesionalizëm, të bën t’i dashurosh dhe t’u qëndrosh besnik, sapo të shohësh një episod.
NGA ELONA JAÇELLARI/ Fotografia Armand Habazaj