Përse puthja poshtë degës magjike së veshtullit sjell fat dhe mbarësi në çift?

Kuriozitete

Puthja është manifestimi i parë dhe më elementar i dashurisë mes dy personave. Shpeshherë ajo konsiderohet si çelësi që hap dyert e afeksionit dhe pasionit të zjarrtë. Megjithatë kur ora shënon 00.00 dhe akrepat lajmërojnë ardhjen e një viti të ri, puthja merr tjetër kuptim (ajo sjell fat dhe mbron të dashuruarit) sidomos nëse e jepni apo merrni poshtë degës së veshtullit. Është një ritual që përsëritet gjithmonë, por a e njihni historinë e saj?

Puthja në orën 00:00 është një traditë që daton mijëra vite më parë nga një traditë e lashtë kelte. Së bashku me perëndeshën Freya, protagonistë janë edhe dy fëmijët e saj, Baldur dhe Loki, i madhi Zoti i Diellit i mirë dhe i dashur, ndërsa i dyti Zoti i së keqes hidhërues e ziliqar, i cili vendosi të vriste të vëllanë. Freya, e cila e kishte ndjerë rrezikun dhe çfarë do të ndodhte u përpoq ta mbronte të birin, duke thirrur dhe lutur çdo bimë dhe kafshë për ta ndihmuar, por kishte harruar veshtullin.

Loki përdori pikërisht një degë të saj për të ndërtuar një armë të mprehtë me të cilën të godiste të vëllanë Baldu-in. Për vdekjen e Baldur-it qanë të gjithë për ditë me radhë, ndërkohë që nëna nuk dinte çfarë të bënte nga dëshpërimi. Lotët e saj, të cilët ranë mbi armën që vrau të birin u kthyen në manaferra magjike që rikthyen në jetë djalin e vdekur. Në shenjë falenderimi perëndesha puthi të gjithë ata që kalonin poshtë veshtullit. Që atëherë veshtulli quhet simboli i dashurisë që mposht vdekjen. Për këtë arsye një degë veshtulli nuk duhet të mungojë asnjëherë gjatë festave të fundvitit.