NGA: ELONA JAÇELLARI
Mes zhurmës së tharëseve të flokëve, erës së bojërave dhe mërmërimave të një grupi grash në parukeri, dy mesozonja kanë nisur një debat. Grinden për një vjehërr e ca nuse. Njëra është në anën e vjehrrës, e cila do të ketë në kontroll jetën e djemve dhe nuseve, e që me shumë sakrifica kërkon ta mbajë të bashkuar familjen, ndërsa tjetra qëndron në anën e këtyre të fundit. Nuk shkon shumë dhe gjakrat nxehen, duke kaluar në emra të përveçëm. “E kaluan cakun”, – them me vete. Në mes të kësaj thashethemnaje, kuptoj që nuk bëhet fjalë për nuset e djemve të tyre e as për ato të fqinjave, por për personazhet e serialit turk “Nusja nga Stambolli”.
– Si e humbni kohën me këto budallallëqe? – ua pret një zonjë më e re në moshë. – Nuk keni punë tjetër që merreni me serialet?
Atë çast, më lind një pyetje e atypëratyshme: A kanë këto zonja vërtet nevojë për diçka që ta zënë ditën, apo prodhimet e serialeve të panumërta nga Turqia, i kanë “zënë” ato?
Tashmë është fakt se, që pas pushtimit në mesjetë, Turqia rikthehet të na pushtojë fuqishëm në shekullin e XXI. Këtë herë, jo me armë e ushtri, por me seriale. Ekspansioni i kësaj “armate” ka pushtuar thuajse të gjitha televizionet gjeneraliste e po ashtu, edhe platformën më të madhe në vend. Shikueshmëria e lartë ka krijuar dy kahe me qëndrime të ndryshme ndaj shfaqjes së serialeve. Njëra palë është ajo që ndjek me fanatizëm çdo seri e që pret ethshëm prodhimin e radhës nga Turqia, ndërsa pala tjetër është ajo që kritikon e i qëndron ashpër këtij realiteti “uzurpues” jo vetëm të kohës, por edhe të frymës e të kulturës që përcjell. Një fakt tjetër i pakundërshtueshëm në këtë realitet është audienca, e cila është bërë faktor kyç në krijimin e fenomenit. Nëse deri dje vendosnin televizionet se çfarë do të blinin e si do ta ndërtonin programin, sot, drejtuesit e programacioneve shprehen se, që pas vitit 2010, kur kanë nisur të shfaqen serialet turke, është audienca ajo që zgjedh, sepse me përfundimin e një seriali, nëpërmjet rrjeteve sociale apo në mënyrë direkte, publiku kërkon të dijë se cili do të jetë titulli i radhës nga Turqia.
Lexoni gjithashtu: “Pushtimi” botëror i serialeve turke, a na ka cenuar Turqia në “ripushtimin” e saj
Përse kaq i ëmbël ky pushtim
TRADITAT E PËRBASHKËTA. Duke diskutuar me ndjekësit besnikë të këtyre serialeve, gjëja e parë që përmendin si karremin që i ka peshkuar, janë traditat dhe deri diku, mentaliteti i përbashkët. Por po të kujtojmë dashurinë tonë të hershme për telenovelat amerikano-latine, të cilat në njëfarë mënyre, përveç besimit në Zot dhe luftës për të mbijetuar vullneti i mirë, nuk kishin asnjë të përbashkët me zakonet tona, kjo teoria e ngjashmërive me Turqinë bie poshtë, për të provuar dashurinë tonë të madhe për serialet.
PËRFAQËSIMI I TË GJITHA SHTRESAVE. Një fakt i padiskutueshëm për ndikimin që ato kanë në vendin tonë, është se në to e gjejnë veten të gjitha shtresat. Në serialet turke, gjejmë të pasurin, të varfrin dhe zakone e mendësi që lidhen me të përditshmen tonë. Këto janë të pëlqyeshme nga audienca.
SKENARËT. Vlerësohet se serialet turke kanë një skenar shumë të mirë. Kanë një logjikë në zhvillimin e fakteve, e cila është shumë e besueshme. Kjo e bën publikun më besnik ndaj asaj që sheh.
KOHËZGJATJA. Audienca nuk lidhet pambarimisht me një serial, sepse ngjarja fillon dhe mbaron pa e shtyrë skenaristin të bëjë zgjatime të kota. Ndaj dhe prodhimet turke quhen seriale dhe jo telenovela. E jo vetëm për këtë, por edhe nga mënyra se si prodhohen e krijohen ato.
AKTORËT. Aktorët turq janë vlerësuar ndërkombëtarisht me notën 10, si për nga hijeshia, ashtu edhe për interpretimin.
CILËSIA. Producentë të huaj kanë arritur në përfundimin se, serialet turke nuk bëjnë dallim nga ato gjermane, angleze e madje edhe amerikane. Sigurisht që tematika ndryshon, duke sjellë më shumë problematika familjare, por Turqia ka guxuar të shkruajë edhe histori më të thella se një romance apo ngjarje familjare, siç janë aksionet apo thrillerat.
VENDET E XHIRIMIT. Të shohësh një serial turk, është si bësh një turne të bukur, sepse vendet, shtëpitë dhe qytetet ku xhirohet, janë jashtëzakonisht të bukura.
VLERËSIMET E TYRE. Aktualisht, serialet turke janë prodhimet më të vlerësuara në treg, madje janë produkte që kushtojnë shtrenjtë, sepse kanë shikueshmëri të lartë. “Tring” është platforma e parë televizive në Shqipëri që ka futur serialet turke dhe, sipas drejtorisë së programacionit, kjo përzgjedhje është shpërblyer, pasi audienca e ka përqafuar menjëherë.
Shkëputur nga revista LIVING