Kemi hyrë në periudhën më të bukur të vitit atë të festave, të dritave shumëngjyrëshe, zbukurimeve plot jetë, si dhe…dhuratave. Tradita kërkon që ato të hapen mëngjesin e Krishtlindjes poshtë pemës, por ju edhe mund ta thyeni, kështu që nuk ka asgjë të keqe nëse i hapni në mesnatë apo edhe më tutje. Por, ky ‘’rregull’’ i pashkruar nuk vlen për mbretëreshën Elizabeta, e cila si çdo vit ka përgatitur dhuratat e festave të fundvitit për 1500 punonjësit e stafit, një traditë e trashëguar nga gjyshi i saj. Mbreti Xhorxhi i 5-të, do të ishte i pari që do të krijonte traditën e shpërndarjes së pudingut të Krishtlindjes, një ëmbëlsirë tipike britanike, por përtej vlerës ekonomike, për mbretin kjo dhuratë ishte një shenjë vlerësimi dhe falenderimi për të gjithë ata që i kishin shërbyer gjatë vitit.
Edhe pse mbretëresha njihet për qëndrimin e saj aspak dorëlëshuar lidhur me paratë, ajo ka vendosur ta ndjekë këtë traditë ndër vite dhe si gjithmonë ka dhuruar pudingun tradicional të festave. Megjithatë, kjo nuk është dhurata e vetme për vartësit e saj. Çdo fundvit mbretëresha Elizabeta shkruan lumenj kartolinash për ta, por edhe njerëzit e thjeshtë. Sipas të dhënave të Buckingham Palace ajo ka dërguar afro 45.000 kartolina urimi gjatë gjithë jetës së saj.