Në prag të ndeshjeve të miqësores me Italinë, kampionët e Botës patën një vizitë speciale me Papa Françescun në Vatikan. Skuadra e Gjermanisë iu prezantua Papës me një dhuratë simbolike, një fanellë të firmosur nga të gjithë pjesëtarët e grupit. Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Reinhard Grindel, u shpreh se mirëpritja në vendin e shenjtë, ishte një nder i madh për ta. Sipas tij kjo vizitë i jep më shumë kurajo futbollit gjerman për të përhapur sa më shumë mesazhin e paqes dhe diversitetit kulturor. Në këtë pikë një tjetër dhuratë për Papën, ishte edhe një vizatim i kryer nga fëmijët e fondacionit të kryesuar prej portierit Manuel Neuer. Një vizatim që kishte si domethënie tolerancën fetare. Papa Francescu, i cili njihet si një simpatizant i futbollit, ka pritur shpesh skuadra të ndryshme në Vatikan. Si një tifoz i San Lorenzos dhe Argjentinës, triumfi i Gjermanisë në Brazil 2014-të nuk është se u prit dhe me aq gëzim për Papën, i cili gjithsesi theksoi se suksesi i skuadrës së Joachim Low kishte të bënte me respektin ndaj tjetrit dhe me shpirtin e grupit, cilësi që sipas Papa Francescut duhet të dominojnë sportin në përgjithësi dhe jetën e përditshme në vecanti.