Ish-maxhordomi i lady Dianës zbulon letrën e princeshës për 2 djemtë

Kuriozitete

Jeta në familjen mbretërore nuk është aq e bukur dhe e thjeshtë siç duket nga jashtë, dhe këtë e di më së miri Paul Burrell. 61-vjeçari britanik ka shërbyer thuajse 30 vite në “Buckingham Palace” fillimisht si ndihmës i mbretëreshës Elizabeth, e më pas si maxhordom personal i princeshë Dianës që prej 1987-s e deri në momentin kur ajo ndërroi jetë. Por, marrëdhënia me mamanë e princave William dhe Harry nuk ishte thjesht profesionale,ai ishte gjithashtu një nga miqtë e saj më të besuar dhe e dinte më mirë kushdo tjetër se ç’ndodhte në jetën e saj.

Në një kohë kur të gjithë po flasin për vendimin e Harry-t dhe Meghan për të jetuar të pavarur nga pjesa tjetër e familjes, larg detyrave mbretërore dhe zhurmës mediatike, që i ka shoqëruar që prej njohjes së tyre e deri më tani, Paul ka risjellë në vëmendje një letër që Diana i kishte shkruar para disa vitesh. Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, ai risjell në vëmendje fjalët e princeshë Dianës: ‘’I dua pafund djemtë e mi, dhe uroj që ata (njëlloj si farat) të rriten të fortë, të pavarur dhe mbi të gjitha të lumtur.” duke mbështetur kështu në mënyrë publike vendimin e Harry-t, siç do të kishte bërë edhe Diana.

Në një dokumentar të vjetshëm “ Kate vs. Meghan, princeshat në luftë”, transmetuar në “Channel 5”, Paul shprehej se Pallati i Buckingham-it është një fushë e minuar për këdo që e shkel për herë të parë. Ai shfaqi gjithashtu hapur mbështjetjen e tij për Meghan duke thënë se ajo është një grua e fortë, e pavarur e cila pati fatin, e mirë ose të keq, të ishte pjesë e një prej familjeve më tradicionale në botë. Ndryshe nga Diana, e cila ishte rritur në një familje të madhe, për Meghan ishte më e lehtë të mos gjente veten dhe në një farë mënyre të përhumbej.