Fordi ka shpalosur zyrtarisht konceptin e versionit të ri të GT-së në Auto Showin ndërkombëtar që po mbahet në Detroit, Amerikë.
Ford GT i ri, që do të prodhohet vitin e ardhshëm, po llogaritet si vetura më e fuqishme nga kjo kompani. Me mbi 600 kuajfuqi dhe motor 3.5 Litër V6, kjo makinë është dizajnuar për t’i bërë konkurrencë Lamborghini Aventadorit dhe McLaren P1.
Super-vetura është pasardhësi i Ford GT-së të konstruktuar në vitet 2005-2006. “GT ishte me të vërtetë një sfidë për ekipin tonë për të konstruktuar të gjithë teknologjinë e re, peshën më të lehtë, aerodinamikën dhe motorët EcoBoost në një super veturë”, ka thënë Joe Hinrichs, presidenti i Fordit në Amerikë.
Në këtë panair të veturave Fordi ka shpalosur edhe version e garave të Mustangut të quajtur Shelby GT350R. Kjo është vetura e parë e kompanisë që ka transmision prej dhjetë shpejtësive. Në të Fordi ka përdorur teknologjinë e fundit të cilën e kishte demonstruar në prototipin Fusion vitin e kaluar.