Kur “Parasite” u prezantua për herë të parë në Festivalin e Filmit në Kanë, mes shumë emrash të mëdhenj dhe të njohur të Hollywood-it, zor se mendohej se do të triumfonte. Por ja që filmi thriller-komedi rrëmbeu çmimin më të rëndësishëm, “Palmën e Artë”.
Pas premierës në Festivalin e Filmit në Kanë, më 21 maj 2019, “Parasite” u bë filmi i parë korean që fitonte “Palmën e Artë” si edhe filmi i parë që shpallej fitues me vota unanime.
Përpos çmimit në festival dhe fitimeve marramendëse në Korenë e Jugut, “Parasite” u bë filmi i parë i Koresë së Jugut që fiton një Golden Globe. Në ceremoninë e djeshme, “Parasite” u shpall filmi më i mirë në gjuhë të huaj.
Bong Joon-ho është truri pas suksesit të filmit. Regjisori u nominua edhe për çmimin “Regjisori më mirë” dhe “Skenari më i mirë”.
Filmi është i përzgjedhuri i Koresë së Jugut për t’u përfaqësuar në Oscars dhe deri tani është një ndër pretendentët kryesorë për t’u nominuar në këtë kategori më 13 janar.