Filmat shqiptarë me nota aq romantike; Disa sugjerime se cfarë mund të shihni në këtë ditë romantike

Kuriozitete

Gjatë viteve të sistemit komunist, Kinostudio “Shqipëria e Re”, kishte një efiçencë të jashtëzakonshme duke prodhuar një numër të madh filmash në vit. Ndonëse tematikat dhe zgjedhjet regjisoriale ishin të diktuara nga propaganda e makinerisë së kohës, shumë prodhime të atyre viteve janë të njohura dhe të dashura edhe sot. Përpilimi i listës për të gjetur filmat më të bukur mbi dashurinë ishte e vështirë, sepse të gjitha tematikat për dashurinë në çift, janë të ndërthura me mesazhe të tjera, kryesisht mbi familjen, shoqërinë dhe njeriun e ri.

Megjithatë, duke parë që jemi te java e dashurisë, përpos filmave në kanalet e panumërta të platformës Tring, këto janë filmat shqiptar mbi dashurinë, të cilat do ngrohin dhe shpirtin më të akullt.

“Çifti i lumtur” (1976)

Një komedi për jetën e viteve ‘70. Dy të rinj që vijnë nga besime të ndryshme fetare vendosin të martohen me njëri-tjetrin, ua bëjnë të njohur dashurinë prindërve të tyre. Në takimin midis dy baballarëve i ati i djalit, pasi nuk e fsheh do të se nuk e do vajzën që vjen nga “një fe tjetër”, nxjerr justifikime që kjo lidhje të bëhet e pamundur. Në të përfshihet edhe brigadieri i ndërmarrjes, ku në bashkëpunim me djalin dhe të atin e vajzës, i kërkon ta pranojë këtë fejesë. Babai i djalit më në fund dorëzohet përpara dashurisë së dy të rinjve.

“Apasionata” (1983)

Motivi kryesor i sonatës së famshme “Apasionata” të Ludvig Van Bethovenit nga një punë diplome bëhet lajtmotiv në dashurinë e Mirës, studente e pianos, dhe Arturit. Ky I fundit është student i pikturës, i cili nuk është vërtet i dhënë pas pikturës, por e bën shkollën për t’i bërë qejfin të atit, një njeri me rëndësi në një ministri. Më pas konfliktet zgjidhen dhe Arturi gjen vendin e vet në jetë.

“Përrallë nga e Kaluara” ( 1987)

Skenari është bazuar në novelën me të njëjtin titull nga rilindasi Andon Zako Cajupi. Një komedi gjatë të cilës tregohet historia dhe martesa e Gjinos 14 vjeçar me Marigonë 28 vjeçare. Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë për t’u bashkuar më pas me Trimin që dashuron.

“Stola në park” (1988)

Shumë pallto të dashuruarish të qytetit shkojnë direkt për pastrim kimik mbas uljes në stolat e sapolyer të parkut të qytetit. Midis tyre është Edlira e bija e shefes së pastrimit kimik. Prindërit e saj fillojnë hetimin për të njohur dhëndrin e tyre të ardhshëm. Një shkrimtar i shkëputur nga jeta dhe që ankohet gjithmonë për fatin e keq të punëve të tij ndihmon në “hetime”.

“Edhe kështu edhe ashtu” (1989)

Teoricieni Apostol Sako shkruan artikuj dhe jep leksione mbi dashurinë e lirë të rinisë në një kohë kur një konflikt i madh ndodh në familjen tij. E bija Alma studente e inxhinierisë dashuron një këngëtar atëherë kur i ati do ta martojë me një diplomat. Konflikti zgjidhet përmes situatave komike.

“Trishtimi i zonjës Shnajder” (2005)

Filmi zhvillohet ne vitin 1961, kur një grup studentësh nga Akademia e Arteve të Bukura shkojnë për të xhiruar filmin e tyre të Diplomës, në një Fabrikë motorësh në (Çeki). Filmi zhvillohet më thellësisht mbi dramën personale të studentit shqiptar Lekë, që vjen nga një vend shumë i izoluar si Shqipëria, në krahasim me pjesën tjetër të Evropës. Ai lufton me ndjenjën e solidaritetit ndaj Atdheut dhe familjes veçanërisht, nënës së tij. Ai lufton magjepsjen ndaj një mënyre jetese, shfrenimi erotik dhe shkujdesjeje të rinisë së artë çeke dhe pasionit të dashurisë me një grua në moshë. Filmi mendohet që është i ndërtuar mbi elemente autobiografike dhe në këtë realizim, ka një udhëtim në të shkuarën e tij por edhe atë të shumë bashkëmoshatarëve të tij shqiptarë.