Dashuri në kohën e Facebook-ut dhe Instagram-it, ja çfarë nuk duhet të publikoni në rrjete sociale për Shën Valentin

Kuriozitete

 

shenvalelel

Prania e rrjeteve sociale në jetën e gjithësecilit prej nesh i ka dhënë një hov të ri komunikimit, madje nuk do të ekzagjeronim aspak nëse do të thonim që ka revolucionarizuar atë. Nëse deri para pak kohësh, ai kufizohej tek komunikimi klasik apo tek letrat e telegrafët, tashmë mjafton një click dhe e gjeni veten në një dimension tjetër. Por, teksa të gjithë shijojmë këtë realitet virtual të paprekshëm, nuk mund të mos pranojmë që gjithë ky zhvillim i ka dhënë fund intimitetit. Për shembull, e kujtoni Shën Valentin e vitit 2000, mjaftonte një arush apo një lule, qoftë e vjedhur në ndonjë lulishte, për t’u bërë të ndiheni mirë. Kurse tani është e pamundur të mos dini se ç’dhurata kanë marrë miqtë tuaj, apo i cilit vit është vera që kanë pirë atë ditë, pasi çdo gjë shitet në kohë reale në Facebook, Instagram apo Snapchat. Nëse nuk doni të jeni një prej tyre, bëni mirë të mos publikoni në rrjete sociale gjërat e mëposhtme:

Çmimin e dhuratës: Evitojani këtë gjë vetes dhe miqve tuaj pasi askush nuk është i,e interesuar të dijë sa keni paguar për diçka që duhej të ishte intime.

Të brendshmet që do të vishni: Seriozisht ju shkoi ndërmend të ekspozonit në Instastory reçipetat dhe të brendshmet tantellë që keni blerë së fundmi ? Ndoshta e keni harruar, por në mesin e ndjekësve që keni në rrjete sociale është edhe vjehrra juaj e ardhme, 2 motrat e saj dhe çereku i familjes së tij. Nuk besojmë se ndonjëri, ndonjëra prej tyre është e interesuar t’ju njohë deri në detaje.

Deklaratat e dashurisë që fillojnë me ‘’Të dua sepse..’’: Dashuria është ndjenja më universale, e njëherazi më intime që njeriu përjeton gjatë jetës së tij. Për dikë është e lehtë ta shprehë atë me një puthje, përqafim, një shtrëngim i ngrohtë dore, kurse mjeshtrit e fjalës nuk e kursejnë këtë të fundit në çdo moment. Mirëpo deklaratat e dashurisë pikërisht në atë ditë do të tingëllonin shumë cliché dhe të panevojshme.

Përgatitjet nga darka romantike: Qirinj, petale lulesh të shpërndara në të gjitha cepat e shtëpisë, si dhe tullumbace ..Ok, kjo duhet të jetë një ëndërr e keqe, por të paktën mos e ekspozoni në rrjete sociale. Miqtë tuaj beqarë me siguri do të jenë duke ngrënë ndonjë sufllaqe të vetmuar diku në një Fast-food të lagjes.

Burimi ”Pure Wow”