Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë identifikuar vetëm 2 raste me COVID-19 numri më i ulët i rasteve që nga nisja e epidemisë në vendi tonë. Në komunikimin e përditshëm me publikun, dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit publik bëri me dije se në 168 teste të kryera vetëm 2 kanë rezultuar me COVID-19.
“Sot është dita me numrin më të ulët të rasteve pozitive të konfirmuara, që nga fillimi i epidemisë. Janë testuar 168 qytetarë si të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 2 qytetarë, në Qarkun Durrës. Të shëruar janë 12 qytetarë. Rastet e reja janë kontakte të personave që tashmë rezultojnë pozitivë, ndërkohë që po vazhdon hetimi epidemiologjik aktiv në terren.
Marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën kryesore ne shfaqjen e një kurbe epidemike të butë në vend. Deri më sot janë kryer mbi 12,500 testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 948 qytetarë. Prej tyre, rreth 77% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 190 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër. Gjendja në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 15 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.
Në kushtet e lehtësimit të masave, zgjerimit të fashave orare të lëvizjes, heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu”, tha znj. Tomini.
Statistika (18 Maj 2020)
Testime totale 12722
Raste pozitive 948
Raste të shëruara 727
Raste Aktive 190
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 69
Krujë 44
Durrës 31
Shkodër 15
Kamëz 12
Berat 10
Fier 4
Elbasan 2
Kurbin 1
Mirditë 1
Korçë 1