Shqipëria ka regjistruar 31 raste me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit, të cilat janë të shpërndara: 8 në Tiranë, 5 Vlora, 5 Shkodra, 1 Lushnja, 2 Durrës, 2 Krujë, 6 Pukë dhe 2 Elbasan. Numri i të infektuarve duket se ka rënë ndjeshëm pasi një ditë më parë u konfirmuan 42 raste të reja, ndërsa më 10 Qershor u regjistruan 44 raste me Covid-19, numri më i lartë i shënuar në vend që prej fillimit të pandemisë.
Sipas Faxweb.al, për herë të parë është prekur dhe Belshi, që i përket qarkut të Elbasanit dhe ka regjistruar dy raste të reja, të cilat janë nënë e bijë.
Nënë e bijë në Belsh kanë rezultuar pozitive pasi kanë pasur kontakte me persona në Tiranë. Ato janë izoluar në banesën e tyre dhe janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Ndërsa në qytetin e Shkodrës, që është një prej vatrave më të nxehta në vend kanë rezultuar 5 raste të reja, prej të cilave një është në Pukë, një në Malësi të Madhe (Vrakë) ndonëse kjo zonë ishte e paprekur që në fillim të pandemisë ndërsa tre raste të tjera ndodhen brenda qytetit, të cilat janë kontakte të afërta.
Në qytetin e Durrësit kanë rezultuar 3 raste, nga të cilët dy janë raste të reja dhe një ripërsëritje, i cili është polici që infektoi edhe gruan. Ndërsa në Krujë janë bërë 14 testime, nga të cilët dy kanë rezultuar pozitivë.
Në Vlorë bëhet me dije se pas testimit të 14 personave, 5 prej tyre kanë rezultuar pozitive. 4 rastet e reja janë familjarë të të prekurve të cilët rezultuan pozitiv një ditë më parë dhe 1 rast është i ri. Të dhënat e 24 orëve të fundit janë informale, ndërkohë që pritet përditësimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të konfirmuar.