Stuhia Ciara e cila ka goditur Evropën ditët e fundit, ka shkaktuar erëra me shpejtësi deri 160 km/h. Për momentin Britania e Madhe është vendi më i goditur, me lumenj që kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje si dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Gjithashtu Britania, ka pezulluar fluturimet në disa aeroporte.
Franca , si pasojë e erërave të forta ka mbyllur kullën Eiffel, si masë sigurie. Dëme ka pasur edhe në Belgjikë, Gjermani, Hollandë, Poloni, Suedi e Çeki. 7 persona kanë humbur jetën deri tani. Efektet e stuhisë kanë mbërritur edhe në Itali, kryesisht në pjesën perëndimore të gadishullit.
Të enjten pritet që stuhia Ciara të prekë edhe Shqipërinë. Metereologu Hakil Osmani tregoi për Report Tv se “Ciara” pritet të mbërrijë në vendi tonë ditën e enjte dhe të premte por nuk do të ketë forcë aq të lartë siç është paraqitur në vendet e tjera. Sipas meteorologut të premten do të ketë reshje te konsiderueshme shiu dhe borë në zonat malore. Edhe vlerat termike do të kenë një rënie të lehtë, por në fundjavë do të kemi përmirësim të kushteve atmosferike.