Një tjetër pjesëtar i stafit të Shtëpisë së Bardhë ka rezultuar pozitiv në testin e Covid-19, duke vendosur në pikëpyetje sigurinë e drejtuesve më të lartë në vend.
Kështu, Zëdhënësja e nënpresidentit Mike Pence, Katie Miller ka rezultuar pozitive me koronavirusin. Miller, me detyrën e Sekretares së Shtypit të nënpresidentit është edhe bashkëshortja e këshilltarit të Presidentit Donald Trump, Stephen Miller.
Diagnoza e zëdhënëses Miller u përmend nga Presidenti Donald Trump në një takim të premten me ligjvënësit republikanë, një ditë pasi një ndihmës personal i Presidentit Trump ishte testuar pozitiv.
Zyrtarë të administratës Trump kanë theksuar se as Presidenti e as nënpresidenti Pence, nuk kishin qenë së fundmi në kontakt me zonjën Miller.