Vajzat apo djemtë, cilët janë më të shkolluar në Shqipëri?

Sociale

sociale

Një studim i realizuar nga Kombet e Bashkuara “Gratë në shkencë” tregoi se femrat në Shqipëri janë më mirë të arsimuara sesa meshkujt. Sipas këtyre të dhënave, në Shqipëri, 54% e të diplomuarve në arsimin e lartë janë femra.

Ky numër është më i lartë kur bëhet fjalë për angazhimin në studimet pas universitare. Raporti tregon se 58% e studentëve që mbrojnë doktoraturën janë femra. Ndryshimi në përqindje me meshkujt vjen në rënie sa i përket fushës së kërkimit. Femrat shqiptare zënë 44% të numrit total, çka tregon angazhimin më të madh të meshkujve në këtë fushë.

Por, pavarësisht këtyre shifrave, pavarësisht rritjes arsimore dhe kualifikimeve sërish në Shqipëri, gratë janë më pak të paguara sesa meshkujt.

Në Shqipëri, shpenzimet për shkencë dhe kërkim janë shumë të ulëta. Në vitin 2016, ato zunë 0.35% të PBB-së nga 0.4% e saj që ishte në vitin 2017.

Edhe në rang botëror, numri i femrave të angazhuara në shkencë është i ulët. Vetëm 28% e kërkuesve janë gra.

Raporti i Kombeve të Bashkuara tregon se gratë në mbarë botën përballen me stereotipe apo me kufizime shoqërore e kulturore, gjë e cila ka ndikuar tek aksesi në edukim. Dukuri të tilla shikohen si pengesat kryesore për të arritur objektivat që janë vendosur në strategjinë Agenda 2030, e cila ka si qëllim rritjen e barazisë gjinore edhe në shkencë.

Vajzat dhe gratë janë ato që mbajnë mbi supe barrën më të rëndë, atë të varfërisë dhe pabarazisë, janë ato që qëndrojnë në vijën e parë të ndryshimeve klimatike. Në zonat rurale vajzat dhe gratë janë ato që goditen më rëndë.

Burimi: Opinion.al