Tring nderohet me çmimin “Best Media Inovation”

Sociale

tritriino

“Ky është revolucioni i teknologjisë”. Këto ishin fjalët që nisën forumin e telekomunikacionit në Tiranë. Më të mirët e kësaj fushe u mblodhën jo vetëm për të ndarë çmimet e vitit, por edhe për të diskutuar mbi arritjet e një viti dhe inovacionin që do të sjellë viti 2015.

“Kjo është epoka e teknologjisë dhe shqiptarët janë gati për iniciativa të reja që lehtësojnë jetën e tyre. Tashmë dija është kudo falë kompanive telefonike, shërbimeve IPTV dhe enteve rregullatore të rajonit që tashmë kanë mbërritur në Shqipëri. Kompanitë më të mira inovative, por edhe bizneset private të vogla në vend u mblodhën këtu për të diskutuar mbi projektet që janë realizuar dhe mbi ato që do të sjellë teknologjia deri në forumin tjetër”, – ka thënë drejtuesi dhe organizatori i Albania Telecomforum, Kostas Notis. Kompania Tring ishte pjesë e panelit të më të mirëve. Vetë drejtuesi i kësaj perandorie shërbimesh inovative tha se është i lumtur për kualitetin që i ofron abonentëve dhe besnikërinë e tyre.

“Ne kemi një moto: Buzëqesh me Tring. Jam i lumtur që kemi arritur ta përcjellim këtë në shtëpitë e shqiptarëve. Dhe për këtë flasin shifrat. Besnikëria e abonentëve tanë vjen edhe nga cilësia e shërbimeve. Por, cilësia kërkon edhe shpenzim, ashtu sikurse ndodh edhe me inovacionin në shtetet fqinje. E megjithatë ne sot jemi këtu për të premtuar se gjithnjë e më shumë do të përcjellin cilësi dhe mjete të reja për modernizimin e shërbimeve tona”, – ka thënë aksionari i Tring Grup Artan Dulaku.

E përtej të gjithë diskutimeve, kongresi është mbyllur me çmime. “Best Media Inovation” i shkoi kompanisë TRING për gjithçka që ka përcjellë dhe ka ofruar këtë vit për shqiptarët.

“Ky çmim shkon për ata që punojnë në këtë perandori. Janë rreth 250 persona që punojnë çdo ditë për të përcjellë tek 30.000 abonentët tanë më të mirën që ofron teknologjia sot në Shqipëri”, është shprehur zoti Artan Dulaku. Ashtu sikurse edhe në edicionin e një viti më parë, TRING premtoi më shumë inovacion, çka e nderoi edhe me çmimin “Best Media Inovation”. Ky ishte edicioni i gjashtë i këtij forumi.