Tring financon ndërtimin e një këndi lojrash përballë stadiumit “Selman Stërmasi

Sociale

sheshi

Tring i ka bërë një surprizë Tiranës mëngjesin e sotëm. Fëmijët në rrugën “Sulejman Delvina” në njësinë numër 5, në kryeqytet u zgjuan me një dhuratë. Është ky shesh i ri rekreativ dhe kënd lojrash, përballë stadiumit “Selman Stërmasi” që do ti gëzojë ata çdo ditë. Lojrat e shumëllojshme do të jenë aty përgjithmonë për vogëlushët. Jetëzimi i sheshit u mundësua nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me kompaninë ”TRING” dhe përfshin module të ndryshme lojërash, ndriçim dhe gjelbërim të zonës.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përuroi këndin e 18-të lojërave në kryeqytet, ku theksoi se bashkia është e fokusuar te punët konkrete për të transformuar kryeqytetin. Ai kërkoi prej të gjithë qytetarëve që të kujdesen për veprat publike të cilat janë në të mirë të komunitetit gjithashtu garantoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë këtë vit me ndërtimin e 11 këndeve të reja në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke krijuar më shumë hapësira për të vegjlit.

Në sheshin rekreativ dhe këndin e lojërave të ndërtuar në zonën e njohur si stadiumi “Selman Stërmasi”, të gjitha materialet e përdorura janë të certifikuara sipas standardeve të BE-së duke rritur në këtë mënyrë sigurinë e fëmijëve që luajnë.

Drejtoresha e marketingut e kompanisë Tring, Elisa Mulgeci në këtë përurim, na tregon se përse vendosën të bashkëpunojnë me bashkinë e Tiranës në këtë projekt që vë në qendër fëmijët:

Zgjodhëm të bashkëpunojmë me Bashkinë e Tiranës dhe të targetojmë pikërisht fëmijët në mënyrë që të investojmë në edukimin sa më të mirë të tyre. Ky është një park rreth 600 m2 dhe ka 7 module lojrash për të gjitha kategoritë e fëmijëve. Ky është një ndër projektet që ”TRING”ndërmerr dhe investon në shërbim të komunitetit.

Por ky nuk do të jetë projekti i vetëm me profil social që kompania Tring do të mbështesë. Vazhdimisht gjatë sezonit të verës animatorë me personazhet më të dashur të kanalit Tring- Tring do të vizitojnë këtë kënd lojërash e do të argëtojnë vogëlushët.