Teknologjia do lërë gjysmën e botës miope deri në 2050

Sociale

teknologjia-do-l-euml-r-euml-gjysm-euml-n-e-bot-euml-s-miope-deri-n-euml-2050_hd.jpg

Miopia do të bëhet shkaku kryesor i humbjes së shikimit deri në vitin 2050, me një rritje shtatëfish të miopisë patologjike, duke e bërë atë edhe arsyen më të rëndësishme që do të shkaktojë verbëri të përhershme.
Deklarata është bërë nga Brien Holden, studiues në institutin “Brien Holden Vision”, në Sidnej të Australisë.

Ai shpjegon se ky problem te njerëzit do të vijë për shkak të ndryshimeve të stilit të jetesës dhe shikimit të ekraneve të kompjuterit gjatë gjithë kohës. Ky është një tetëfishim i rritjes së numrit të syzeve te miopët në vetëm disa dekada.

Studimi analizoi 145 kërkime që kanë pasur 2.1 milionë pjesëmarrës, të cilat datojnë nga viti 1995 e deri më tani. Kjo analizë e të dhënave i lejoi ata të vlerësojnë ndryshimet e së ardhmes. Rezultatet treguan se 1.4 miliardë njerëz (23 për qind e popullatës së botës) vuante nga miopia në vitin 2000, që pritet të rritet në 4.8 miliardë njerëz në vitin 2050.

Përse po përkeqësohet shikim ynë?
Shtimi i miopisë shihet gjerësisht si i nxitur nga faktorët mjedisorë, ndryshimet në stilin e jetesës që vijnë si pasojë e një kombinimi të kalimit të më pak kohe në natyrë dhe rritjes së aktiviteteve të punës.

Kjo do të thotë se ne po ua ngulim më gjatë sytë ekraneve, po punojmë më tepër në mjedise të brendshme dhe shikimi i objekteve nga afër po dëmton shikimin tonë në largësi.

Si të kujdeseni për sytë nëse përdorni teknologjinë?

Bëni kontrolle rutinë
Është shumë e rëndësishme që t’i kontrolloni sytë tuaj vazhdimisht, sepse vetëm kështu do të arrini të parandaloni ose të trajtoni problemet me shikimin. Sipas ekspertëve, personat që punojnë me kompjuterë duhet të kryejnë kontrolle shikimi çdo një vit.

Përdorni ndriçimin e duhur
Problemet me sytë shpesh vijnë edhe prej dritës së tepërt që përçojnë pajisjet teknologjike, por edhe prej dritës së diellit. Kur përdorni një kompjuter, tregohuni të kujdesshëm që të keni balancuar ndriçimin e tij me atë të ambientit, që të mos ketë kontrast të madh. Gjithashtu shmangni punën nën dritat fluoreshente.

Minimizoni reflektimin
Përpiquni të minimizoni reflektimin e mjedisit të jashtëm në pajisjen tuaj teknologjike duke përdorur një mbrojtëse. Muret e bardha mund të jenë gjithashtu një problem, përdorni një ngjyrë më të errët. Nëse mbani syze, blini xhama që kanë mbulim antireflektues, që të kufizoni sasinë e dritës që ju vjen në sy.

Përdorni një ekran LCD
Mos kurseni në teknologji për sa kohë shpenzoni shumë kohë në të, shkruan Shqip. Sigurohuni që të jeni duke përdorur një ekran LCD dhe të sheshtë, i cili jua lehtëson punën dhe ju jep syve tuaj një mbrojtje më të madhe, krahasuar me ekranet e tjera.

Rregulloni parametrat e kompjuterit
Vendosni në normën e duhur ndriçimin, përmasat e tekstit dhe kontrastin në mënyrë që të përbëjnë një kombinim sa më të shëndetshëm për shikimin tuaj. Gjithashtu, tregoni vëmendje ndaj temperaturës së ngjyrës, për shembull përdorni më tepër ngjyra me gjatësi vale të mëdha sesa ngjyrat me gjatësi të shkurtër vale siç është bluja.

Pulitini sytë më shpesh
Pulitja e syve është shumë e rëndësishme kur punoni në kompjuter, pasi duke bërë kështu u jepni syve lagështinë e nevojshme dhe parandaloni thatësirën dhe irritimin. Kur punojnë në kompjuter njerëzit i pulitin sytë më rrallë, por kjo e dëmton shumë syrin.
Bëni pushime të shpeshta
Pakësojeni rrezikun te sytë tuaj kur rrini shumë përpara kompjuterit, si dhe dhimbjen e qafës, kurrizit dhe shpatullave duke bërë pushime më të shpeshta çdo ditë. /Telegrafi/