Sot Dita Botërore e Televizionit

Sociale

World-TV-DaySot, më 21 nëntor, është Dita Botërore e Televizionit. Ajo do të shënohet kudo, si një mrekulli për njerëzimin. Nga shikuesit kërkohet të veçojnë momentet e tyre të preferuara televizive.

Transmetuesit në Evropë, Azi, Kanada, SHBA dhe Australi do të transmetojnë për këtë Ditë një video 30 sekondash të miratuar nga këto organizata, për ta njoftuar opinionin për rolin që e luan televizioni për të informuar, edukuar dhe argëtuar. Transmetues të shumtë kanë konfirmuar tashmë se do ta transmetojnë klipin më 21 nëntor nëpërmjet rrjeteve të tyre apo edhe portaleve online.

Në Kosovë, kjo iniciativë përkrahet nga AMPEK-u (Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës) dhe transmetohet në të gjitha televizionet kosovare.

Klipi përmban momente zbavitëse, lajme, kulturë, sport dhe dramë dhe nga shikuesit kërkon që ta propozojnë përjetimin e tyre më të mirë televiziv, duke përdorur hash-tags mediat sociale #WeloveTV dhe #WorldTVDay.
Kontributet e bëra në webfaqe, Facebook dhe Twitter do të mblidhen nga transmetuesit lokalë me idenë që të prodhohet një videoklip i ri i quajtur “Duaje TV”.

Presidenti i EBU-së Jean-Paul Philippot thotë se transmetuesi publik ndihmon në forcimin e demokracisë, duke siguruar që të gjithë – përfshirë edhe ata pa ndonjë ndikim politik ose ekonomik – të kenë qasje në informacione.
“EBU ka 63 TV anëtarë aktivë në 55 shtete, 937 kanale operative televizive që transmetojnë në 69 gjuhë, me një audiencë potenciale prej 1,02 miliardë njerëzish,” ka thënë zoti Philippot. “Kjo i jep zë atyre të cilët përndryshe nuk do të dëgjoheshin, gjithnjë duke i shërbyer të gjitha shtresave të shoqërisë; promovon tolerancën dhe mirëkuptimin dhe lehtëson debatin rreth çështjeve me interes kombëtar.”

Presidenti i EGTA-s, Franz Prenner, thotë se iniciativa feston apelin e përhershëm të audiencës televizive.

“Shikueshmëria e televizionit nëpër shumicën e vendeve evropiane është e qëndrueshme ose në rritje,” tha zoti Prenner. “Anembanë Bashkimit Evropian, një shikues mesatar shikon televizion 236 minuta në ditë. Luhatjet e rastit nuk mund të fshehin faktin e pamohueshëm se njerëzit duan të konsumojnë përmbajtje cilësore në ekranet e shumta, duke përfshirë OTT (over the top content). Ky është vetëm fillimi i epokës së artë të TV! “.

Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të ACT-it Magnus Brooke përshkruan televizionin si një “Storie suksesi evropian”.

Zëvendës Drejtoresha e Qendrës Rajonale të Informacionit Caroline Petit thotë se Dita Botërore e Televizionit u shpall si një ngjarje e përvitshme nga Kombet e Bashkuara në vitin 1996 në shenjë mirënjohjeje të ndikimit që gjithnjë e më shumë ka televizioni në vendimmarrje.

“Fuqia e Televzionit qëndron në aftësinë e saj për të nxitur demokracinë, për të nxitur lirinë e shprehjes, për të kontribuar për inovacion, për të mobilizuar dhe për të mbështetur diversitetin kulturor,” tha zonja Petit. “Duke tërhequr vëmendjen e botës ndaj konflikteve dhe kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë, TV ka potencialin për të “formësuar” njohuritë mbi çështjet e mëdha globale.”