Shqiptarët konsiderojnë prioritet të ardhurat, ndërsa shtete të tjera ballkanike shëndetin. Panoramë tjetër ofrojnë vendet më të pasura, shqetësimi i së cilave është kënaqësia nga jeta…
Çdo shtet ka prioritete, bazuar në një sondazh të bërë publik nga OECD, në të cilin janë pyetur njerëzit se çfarë vlen më tepër në jetën e tyre, ku për shqiptarët ka rezultuar se të ardhurat janë parësore.
Në sitën e analizës me të anketuar në mbi 180 shtete, rezultojnë 11 tema të konsideruara më thelbësore, në fushën e kushteve të jetesës dhe cilësisë së saj.
Temat janë: siguria, shtëpia, puna, të ardhurat, balanca jetë-punë, kënaqësia nga jeta, shëndeti, edukimi, qeverisja, komuniteti dhe mjedisi.
Nga harta interaktive e krijuar nga movehub.com, vihet re se në Europë: Britaninë e Madhe, Suedi, Gjermani, Finlandë dhe Poland zgjedhin kënaqësitë nga jeta si prioritet, ndërsa në shtete si Rusi, Norvegji, Islandë, Francë dhe Austri vlerësojnë shëndetin.
Qipro ishte i vetmi shtet në Europë që njerëzit zgjedhin balancën jetë-punë, si prioritetin e tyre më të lartë dhe vetëm Ukrahina dhe Shqipëria vlerësojnë të ardhurat. Pjesa tjetër e vendeve ballkanike konsiderojnë prioritet shëndetin.
Ndërsa në SHBA, prioritet konsiderohet kënaqësia nga jeta, shëndeti dhe mjedisi. Tjetër panoramë vihet re nga Amerika e Jugut, në të cilën çështjet që shqetësojnë më tepër janë edukimi, siguria, shtëpia dhe kënaqësia nga jeta./Monitor