Autoritetet në Poloni kanë bërë të ditur se kanë arrestuar dy persona, të cilët dyshohen se punonin për agjensitë inteligjente ruse. Njoftimi për arrestimin e dy të dyshuarve erdhi nga deputeti, Marek Biernacki, anëtar i Këshillit të Inteligjencës në parlamentin polak. Prokurorët kanë njoftuar se njëri prej të arrestuarve ka shërbyer për ushtrinë polake ndërsa tjetri është avokat në Varshavë, por për të dy nuk është bërë i ditur identiteti i tyre. Arrestimet e të dyshuarve vijnë, pas marrëdhënieve të tensionuara mes Rusisë dhe Perëndimit, mbi aneksimin e Krimesë nga ana e Moskës, dhe mbështetjen e saj dhënë separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.