Oficerja ngre dy gishtat lartë në videon e policisë, Saimir Tahiri e merr direkt në telefon: Pse e bëre?

Sociale

screenshot 63 1480411342 8354578.png

Kristina Çakeri, oficerja simpatike që ngre dy gishtat lart në videon e përgatitur nga Policia e Tiranës me rastin e festave të 28-29 Nëntorit ka ngjallur një valë reagimesh në rrjetet sociale.

Shumë e kanë interpretuar atë si një simbol të Partisë Demokratike dhe e kanë lidhur Kristinën automatikisht me politikën por oficerja e rendit i jep fund të gjitha hamendësimeve duke treguar për newsbomb.al se gjesti i saj s’ka kurrfarë lidhje me asnjë parti por simbolizon paqen.

Kristina, ju jeni vajza e cila shfaqet në videon e policisë me dy gishtat lart. Çfarë keni dashur të thoni dhe pse zgjodhët pikërisht dy gishtat?

Dy gishtat më kanë dalë thjesht në mënyrë instiktive duke ditur që është simbol i paqes. Ka patur reagime të ndryshme lidhur me këtë, një pjesë e kanë interpretuar sikur jam me Partinë Demokratike por siç e thashë, ishte e gjitha instiktive dhe simbolizon paqen.

Reagimi që ju ka bërë më shumë përshtypje në gjithë valën e reagimeve?

Më bëri përshtypje fakti që ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri më mori në telefon dhe më pyeti: Pse e bëre?

Dhe ju ç’i thatë?

Të njëjtën gjë që ju thashë edhe juve, që është simbol i paqes dhe më doli instiktivisht…

Po ministri, si reagoi pas kësaj?

Pasi ia shpjegova më tha që ishte thjesht një shaka, më tha që kisha dalë shumë bukur dhe më uroi suksese.

Prej sa vitesh punoni si oficere rendi dhe si iu futët Policisë?

Jam pjesë e komisariatit numër 2 të Tiranës dhe punoj si oficere rendi prej tre vitesh. Fitova me konkurrim dhe këtë profesion e kam patur ëndërr qysh në fëmijëri.

A jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar për faktin që jeni femër dhe përballeni çdo ditë me situata të ndryshme?

Thjesht kam mësuar se policia është pak e vështirë për vajzat por kam kuptuar se sa më shumë përballem me ngjarjet aq më tepër e dua këtë që bëj dhe dua të përfshihem gjithnjë e më shumë.

Dua të përballem me ngjarjet kriminale, të jem aty ku ngjarja ndodh, të di objektivat pse jo të kem mundësi të shpreh mendimin tim e të marr vendime.

Të kthehemi pak te dy gishtat se i kemi me merak ne këto gjëra… Ju me kë parti jeni?

Unë jam asnjanëse, absolutisht me asnjë parti sepse Policia e Shtetit është institucion i depolitizuar. Jam me qytetarët.

Një mesazh për vajzat e reja që duan t’i futen Policisë së Shtetit?

Doja t’u thoja të të gjitha atyre që kanë këtë ëndërr apo ambicie t’i shkojnë deri në fund.