Edhe pse nuk jetojnë më në apartamentin e përhershëm por brenda një rezidence qeveritare, për Zonjën e Parë Odeta Nishani festat e fundivit nuk kanë ndryshuar aspak. Sepse nuk ka ndryshuar thelbi i tyre dhe ajo që pëlqen të bëjë prej vitesh: të mblidhen të gjithë bashkë, me familjen rreth tryezës. “Gjithmonë i kemi kaluar festat e fundvitit me të afërmit tanë”, – tregon ajo, -“dhe me zhvendosjen në rezidencën qeveritare asgjë nuk ka ndryshuar, ne mblidhemi bashkë përsëri, me prindërit dhe fëmijët, shkëmbejmë dhuratat dhe urimet, njësoj siç kemi bërë gjithmonë dhe njësoj me çdo familje shqiptare. Kemi provuar dikur para disa vitesh edhe udhëtimet jashtë Shqipërisë në këto festa, kemi provuar edhe restorantet, por në fund kemi pranuar se më bukur se kudo kalohet me familjarët në shtëpi”.
Odeta Nishani është nga ato natyra që i pëlqejnë festimet, për vetë atmosferën që sjellin, por pëlqen që t’i shohë ato edhe si një moment të bukur reflektimi e që i bën njerëzit më të ndjeshëm. “I pëlqej të gjitha festat, por megjithatë festa më e bukur për mua është nata e ndërrimit të viteve. E festuar në mënyrë tradicionale, me gjithë familjen bashkë, me vëllezër e prindër, me dhurata me drita shumëngjyrëshe e gatimet tipike, kjo më duket një festë e magjishme”. Të tillë e mban mend këtë festë Odeta Nishani edhe në shtëpinë prindërore, kur ishte e vogël dhe kur festa niste që dy javë përpara me zbukurimin e shtëpisë me shiritat me ngjyra, me dhuratat që merrrnin në qendrat e punës së prindërve, pastaj me blerjen e gjelit të detit, me hapjen e petëve të bakllavasë nëpër gjithë shtëpinë, pastaj në fund fare me vizitat që bëheshin në shtëpitë e të afërmve apo të fqinjëve të pallatit “Kur isha e vogël besoja që ekzitonte një Plak të Vitit të ri që na vizitonte, po kështu kanë bërë dhe fëmijët e mi dhe ne impenoheshim shumë që t’ua bënim sa më të besueshme… Tani ata janë rritur dhe unë impenjohem po kaq me nipërit e vegjël… Por përtej anës magjike unë personalisht besoj se festat e fundvitit janë krijuar për të përcjellë te njerëzit hare, gëzim, optimizëm në periudhën më të vështirë të vitit, fillimin e dimrit kur nis i ftohti dhe dita shkurtohet”.
Duke u ndezur dritat e festive e duke krijuar një atmosphere magjike rreth e rrotull nesh, duket sikur nga njerëzit del dhe pjesa e tyre më e mirë, bëhen më të ngrohtë, duan të dhurojnë, të ndajnë me ata që nuk kanë. “Eshtë e vërtetë që ka një moment reflektimi të gjithë shoqërisë. Në statusin e Zonjës së Parë çdofundviti kam organizuar një mbrëmje gala me rastin e festave në ndihmë të njerëzve në nevojë. Këtë vit i kushtohet fëmijëve me sindromën doën. Shikoj një interes në rritje të bizneseve për të marrë një ftesë, në mënyrë që të arrijnë të kontribuojnë për integrimin e këtyre fëmijëve në shoqëri… Jemi një shoqëri me demokraci të re dhe ende nuk është në kulturën tonë kontributi masiv, por këto vite me kënaqësi kam vënë re që ka progres të madh”. Ndryshe nga shumë njerëz që në fund të vitit pëlqejnë të marrin vendimet për gjërat që duhet të bëjnë dhe të tjera nga të cilat duhet të heqin dorë, Odeta Nishani fundit e vitit e ka vetëm për të festuar dhe jo për të bërë balance. Sepse për të bërë ato nuk i duhet të presë datën 31 dhjetor, por i bën shumë shpesh gjatë vitit, nxjerr menjëherë konkluzionet dhe merr vendimet, atëherë kur duhen. Por megjithatë si çdokush, nuk mund të rrija pa e bërë një analyze të shpejtë të vitit që po ikën: “Si bashkëshorte e Presidentit të Republikës kam patur angazhimet zyrtare dhe përfaqësuese. Ka qene vit i ngarkuar me aktivitete brenda dhe jashtë vendit, i lodhshëm por dhe i bukur. Nuk e di se çfarë do bëj ndryshe pas janarit, përpiqem të përmirësohem në atë që bëj, por varet dhe nga situatat”.
Nga Living