Specialistët e teknologjisë së informacionit janë aktualisht në krye të listës si më të paguarit në Shqipëri për vitin që sapo lamë pas. Nëse ende nuk kemi vendosur për një profesion të mundshëm, kjo do të ishte zgjidhja ideale, pasi paga është mjaft e kënaqshme, duke justifikuar në këtë mënyrë edhe punën.
Instituti i Statistikave ka zbardhur strukturat e pagave në Shqipëri për vitin 2015, nga ku rezulton se më të paguarit janë specialistët e teknologjisë së informacionit.
Sipas të dhënave të publikuara, paga mesatare bruto për këtë profesion në vitin 2015 ishte afro 89 mijë lekë në muaj. Pozicione të tjera që sigurojnë pagesa të larta janë ato të drejtuesve administrativë e komercialë, me rreth 84 mijë lekë në muaj dhe kategoria e specialistëve të administrimit të biznesit, me 81 mijë lekë në muaj.
Pagat e profesionistëve të shëndetësisë dhe arsimit ngelen ende në nivele relativisht të ulëta. Sipas INSTAT-it, në 2015-ën, paga mesatare për një mjek ishte 52 mijë lekë në muaj, ndërsa për një arsimtar rreth 56 mijë lekë në muaj.
Punët me paga më të ulëta në ekonomi janë ato në bujqësi, ndërtim dhe në industrinë përpunuese, rreth 2030 mijë lekë në muaj. Paga mesatare mujore bruto është më e ulët për grup profesionet ku niveli i aftësive të kërkuara është i ulët, të tilla si prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare; punëtorë për shitje dhe shërbime të ndryshme në rrugë; ndihmës në përgatitjen e ushqimit.
Paga më e ulët vërehet në grupin e punëtorëve të transportit dhe magazinimit, të cilët paguhen mesatarisht 25 mijë lekë në muaj. Punëtorët e industrisë përpunuese paguhen 31 mijë lekë në muaj, ndërkohë që punëtorët në aktivitetet me ujë të ngrohtë, kanalizimeve, menaxhimit të mbeturinave dhe rregullimit, fitojnë rreth 33 mijë lekë në muaj. /albeu.com/