Edi Rama ka bërë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani është larguar nga posti që ka mbajtur deri më tani.
Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, është emëruar ministër i Financave, derisa Milva Ikonomi është emëruar në krye të ministrisë së Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Zyra e kryeministrit Rama ka konfirmuar ndryshimet në kabinetit qeveritar.
“Kryeministri e informoi ministrin Cani për vendimin e zëvendësimit të tij me një koleg tjetër dhe i kërkoi vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave”, sqaron Kryeministria.
“Ministri Cani e falënderoi nga ana e tij Kryeministrin për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në kapërcimin me sukses të situatës së rëndë financiare të trashëguar dy vjet e gjysmë më parë, si edhe e siguroi për vazhdimin me përkushtim të plotë të angazhimit të tij politik e profesional si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, thekson sqarimi.