Në këtë operacion u angazhua policia shqiptare, ajo italiane dhe malazeze, por se pavarësisht sekuestrimit të drogës me peshë prej 500 kilogramësh, trafikantët arritën që t’u shpëtonin forcave të policisë së tre vendeve.
Policia shqiptare në datë 1 shkurt 2016 kishte siguruar një informacion se në ujërat ndërkombëtare rreth 20 milje larg brigjeve tona do të vinte një mjet peshkimi i dyshuar si mjet italian, për të marrë një sasi droge.
Ndërkohë në 2 shkurt në vijim të operacionit rreth 60 milje larg Barit, u konstatua një gomone e cila ecte me shpejtësi nga Jugu në Veri. Drejtoritë rajonale të Kufirit në Vlorë, Durrës,
Stacioni i PKM Shëngjin, roja Bregdetare dhe forcat Delta nxorën menjëherë në det 8 mjete lundruese për patrullim. Policia shqiptare vijoi kontrollin e hapësirës ujore duke koordinuar operacionin me Policinë kufitare malazeze, e cila angazhoi dy mjete detare.
Gjithashtu u shkëmbye informacion me Guardia di Finanzën, e cila angazhoi dy mjete lundruese për lundrime në thellësi të hapësirës ujore 1 në Vlorë dhe 1 në Durrës. Mjeti i dyshuar tip gomone që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të vendit tonë u ndoq nga mjetet e Guardia di Finanza nga deti dhe nga ajri.
Gjatë ndjekjes, shërbimet shqiptare me anë të radarit konstatuan se gomonia mori kursin në drejtim të ujërave ndërkombëtare përballë ujerave territoriale të Malit të Zi. Për t’u lehtësuar nga pesha dhe ecur më shpejt, trafikantët hodhën në det drogën, rreth 500 kg, e cila u sekuestrua nga autoritetet italiane në ujërat ndërkombëtare.
Duke kryer manovra të rrezikshme, gomonia u zhduk në hapësirën detare rreth 8 milje jashtë ujërave territoriale të Malit të Zi.