Duke filluar nga dita e sotme bëni mirë të merrni me vete çanta lecke ose qese të trasha prej mushamaje sa herë që do t’ju duhet të bëni pazaret, pasi është i ndaluar rreptësisht përdorimi i qeseve plastike. Përdoruesit e këtyre të fundit do të penalizohen, si dhe do të merren masa për prodhuesit që do të përpiqen të mos respektojnë ligjin. Çdo biznes që përdor këto qese pasi ka përfunduar afati, rrezikon të gjobitet me gjoba që variojnë 10 deri në 15 milionë lekë të vjetra, të cilat i janë lënë në dorë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Vendimi i qeverisë parashikon që në treg të hidhen qeset e riciklueshme, të cilat do të prodhohen kundrejt një pagese.
Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi tha dy muaj më parë kur doli vendimi se si qytetarët ashtu edhe bizneset duhet t’i bashkohen nismës.
“Vendimi kërkon masa drastike, kërkon që 2 muaj pas hyrjes në fuqi, të mos ketë më përdorim të qeseve plastike, masa e gjobës është e një niveli të konsiderueshëm nga 10 milionë deri në 15 milionë lekë të vjetra kushdo përdorues apo prodhues i këtyre qeseve plastike”, deklaroi ministri.