Gea Çausholli është një nga qindra maturantët e këtij viti që nuk arriti të fitonte fakultetin edhe pse ka mbaruar me mesatare të mirë në shkollën “Petro Nini Luarasi”.
Gea, ra në sy dje, dhe u bë pjesë e të gjithë kronikave për shkak se u përball me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, në një takim për të sqaruar problemet e maturës.
18 vjeçarja, në një intervistë për Opinion.al rrëfeu atë ç’ka ndjeu kur Nikolla i preu fjalën dhe pse gjithë zemërimi i tyre është me Ministrinë e Arsimit, shkruan Opinion.al.
“Kam mësuar në të gjitha lëndët njësoj. Kam një mesatare 8.86 të tre viteve të shkollës së mesme. Ndërsa nga mesatarja përfundimtare për kualifikimet në universitet, jam me 9.7”. Doja dhe dua me patjetër të studioj në fakultetin e Drejtësisë”, shprehet Gea.
Në takimin me vajzën e re, që artikuohet qartë dhe di çfarë kërkon është edhe i ati, Arditi. “Vajza nuk ka fituar asnjë nga 10 degët ku ka konkuruar. Por unë nuk i humbas shpresat. Do të pres etapat e përzgjedhjes…dhe vajza do të studiojë për drejtësi”, shprehet i ati.
Më tej, Gea, thotë se dje në takimin me ministres e Arsimit, ishin shpresëplotë se do të merrnin një zgjidhje. “Ai takim me ministren Nikolla ishte një ofendim…Ne nuk kishim shkuar aty për të na përsëritur se si është skema e pranimit. Ne atë e dimë shumë mirë. Ne shkuam për të marrë një zgjidhje”, vijon maturantja që po kërkon një të drejtë shkollimi.
Sipas saj, në listën paraprake janë shpallur fitues maturantë me mesatare 7.7. Duke folur gjithnjë për fakultetin e Drejtësisë, të cilin ajo synon, thotë se “janë penalizuar të gjithë maturantët që nuk kanë bërë në shkollën e mesme, lëndë si filozofia, e sociologjia”. Gea sqaron se skema e pranimit ndryshoi në muajin Shkurt, ndërkohë që të gjithë ishin përgatitur të konkuronin sipas skemës “meritë-preferencë. Në shkurt u vendos që zgjedhjen ta bënin fakultetet të cilat vendosen kritere shtesë, duke minimizuar rolin e maturës shtetërore”, sqaron ajo.
Gea mendon se zgjidhja e vetme është të rikthehet sistemi meritë-preferencë, të paktën për këtë vit akademik./Burimi: gazeta ekpres