Tregetimi i paketave të duhanit në Shqipëri do të ndryshojë duke filluar nga data 1 janar 2018.
Ky është vendimi i Komitetit Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit i cili tashmë ka hyrë në fuqi dhe pritet të nisë nga zbatimi.
Kështu në pakëten e duhanit përveç paralajmërimeve për efektet shkatërruese të duhanit në shëndet përmes teksteve, do të ketë edhe përmbajtje vizuale, siç janë fotografi nga pasojat që kanë sjellë te njerëzit “sëmundjet e tmerrshme”, (sikundër vlerësohen në këtë paketë masash).
Kjo masë do të zbatohet nga kompanitë e tregtimit në mënyrë graduale duke nisur fillimisht me paralajmërimet shëndetësore grafike të detyrueshme në ambalazhin e çdo pakete.
Do të jetë Ministria e Shëndetësisë e cila do të fillojë nga puna për përzgjedhjen e logos(ve), të cilat do të vendosen në paketën e duhanit. Më pas ajo do të miratohet nga Komiteti, shkruan “Monitori”.
Gjatë dy viteve të fundit Shqipëria ka bërë progres në reduktimin e duhanpirjes, megjithatë mbetet një sfidë e vështirë duke qenë se është një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë. Sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetit nëse Shqipëria vazhdon të zbatojë kontrollin ndaj duhanpirjes dei në vitin 2025 norma do të reduktohet në rreth 28% të popullsisë ( rreth 739,100 persona). Në vitin 2010 kjo normë ishte 31% ( rreth 746,900 persona).
Aktualisht Organizata Botërore e Shëndetit po zbaton strategjinë për atë që njihet si “paketim gjenerik”, që nënkupton që të gjitha paketat e duhanit të duken njësoj sepse edhe germat do të jenë të detyrueshme të jenë të njëjtat për çdo lloj pakete, por i vetmi ndryshim është emri i markës tregtare. Ekspertët e OBSH-së thonë se paketimi i thjeshtë i produkteve të duhanit rrit efektivitetin e paralajmërimeve shëndetësore.
Në dhjetor 2012, Australia u bë vendi i parë për zbatimin e plotë të paketimit të thjeshtë. Në maj të këtij viti nismës iu bashkua edhe Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca e po kështu të tjera vende pritet t’i bashkohen nismës, përfshitë këtu edhe Shqipërinë.