Një 51-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e të hënës në spitalin e qytetit të Korçës pasi është qëlluar me armë zjarri nga dhëndri i tij. Mësohet se konflikti ka qënë për shkaqe banale, ku mosmarrëveshja mes 51 vjeçarit Ylli Sora dhe 34 vjeçarit, dhëndrit të tij, Kristian Bajramaj, ka qenë për shkak të ndarjes se Bajramajt nga vajza e viktimës. Fshati Pulah në komunën Moglicë të rrethit të Korçës ka dëgjuar krismat e armëve, pasi dhëndri ishte duke dalë nga shtëpia e vjehrrit të tij në kohën që ishin duke diskutuar për shkaqet e divorcit. Mësohet se palët janë grindur fillimisht, më pas viktima ka shkuar të sqarohet edhe njëherë, por fundi i historisë ishte nxjerrja e armës nga ana e Kristian Bajramajt dhe plagosja rëndë e vjehrrit të tij. Edhe pse është bërë gjithçka për ta shpëtuar, viktima ka mbërritur në spital i vdekur për shkak se janë dashur katër orë për ta transportuar. Mësohet se i plagosur ka mbetur edhe djali i viktimës, i cili ka marrë një plumb në bark dhe i është nënshtruar një operacioni. Burime pranë policisë thonë për Vizion plus se Kristian Bajramaj është arrestuar dhe në momentin kur ka shtënë me armë ka qënë në gjendje të dehur.