Blondi Smërqaku është shqiptari nga Kosova, i cili humbi kuletën me të gjitha dokumentet që kishte brenda teksa ishte pjesë e grupit të tifozëve “Dardanët” në ndeshjen Kosovë-Kroaci.
Ndeshja u zhvillua më 6 tetor në Shkodër, ndërsa tashmë pas pothuajse dy muajsh e ka marrë sërish kuletën me gjithçka kishte brenda.
Blondi, duhet thënë që është njeri me shumë fat, është habitur kur kuleta i ka ardhur me postë, ndërsa ai shprehet: “Në ndeshjen Kosovë – Kroaci e luajtur në Shkodër më kishte humbur kuleta me gjithë dokumentet që ishin në të.
Pas katër ditësh lajmërohet në Facebook-un tim një zonjë shumë bujare, doktoreshë, e cila më lajmëron se është gjetur kuleta ime dhe më ndihmoi t’i kem prapë dokumentet. Ajo është Margaret Lleshi Guraziu, të cilën e falënderoj shumë bashkë me kolektivin e saj”, deklaroi Smërqaku.
Në ndeshjen ku Kosova humbi 6:0 ndaj Kroacisë, shumëkush është ankuar se i janë vjedhur kuletat dhe sot e asaj dite nuk i kanë më.