Vazhdon të mbetët kritike situata e shkaktuar nga përmbytjet në Lezhë. Dhjetëra banesa janë ende nën pushtetin e ujit dhe qindra hektarë janë të mbuluar tërësisht. Mungesa e energjisë elektrike si pasojë e përmbytjes së nënstacionit bëri që hidrovoroët të mos punojnë për 18 orë, ndërsa uji mbuloi edhe qendrën e qytetit. Banorët tregojnë se,uji vërshoi vrullshëm dhe i gjeti të papërgatitur. Mësimi u ndërpre në tre shkollat e qytetit pasi uji mbushi klasat, ndërsa forcat e ushtrisë nisën punën për largimin tij. Për përballimin e kësaj situate, janë angazhuar rreth 300 forca Policie me 10 automjete, ku në ndihmë të policisë së Lezhës kanë ardhur edhe forcat e FNSH. Forcat e policisë, dhe ato te ushtrisë janë shpërndarë në gjithë territorin në bashkëpunim dhe me forcat e zjarrfikëses kanë bashkërenduar punën për tu ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar. Qindra punonjës të sipërmarrjeve nuk munden të shkonin në punë, pasi bizneset u mbuluan nga uji. Situatën e kane monitoruar nga afër ministrat Panariti, Tahiri e Kodheli. Prurjet në qytetin e Lezhës dhe Kurbinit kanë qenë të mëdha e për pasojë ka patur dëme të mëdha në njerëz si dhe dëme te konsiderueshme materiale.