“Day N’ Night – Kolonat N’Festë” për fëmijët në nevojë

Sociale

13223605_10208778016078960_668429799_o.jpg

Vitin e kaluar, një grup të rinjsh organizuan eventin e titulluar “DAYnNight” në kryeqytet, ku disa nga DJ-të më të njohur e të pëlqyer nga publiku performuan për plot 12 orë duke luajtur muzikë dhe argëtuar publikun. Por ky aktivitet nuk kishte vetëm përmasa argëtuese, e veçanta qëndroi në faktin se të ardhurat e mbledhura, së bashku edhe me mbështetjen e DSA (Down Syndrome Albania), shkuan pikërisht për fëmijët me sindromën Down.

Suksesi i një viti më parë ka bërë që nismëtarët: Aldo Skënderi, Edian Meçe, Moris Backa, Rigels Hoxha dhe Hasan Zeneli, të mendojnë për një rikthim të këtij eventi, në datën 22 maj.  Aktiviteti me titullin “Day N’ Night – Kolonat N’Festë” do të zgjasë për plot 12 orë (prej orës 12:00 deri në mesnatë) dhe 13 DJ do të performojnë falas për këtë event bamirësie. Një pjesë e fitimeve nga ky organizim do të shkojë për fëmijët në nevojë, sepse për çdo vit është menduar që kauza për të cilën do të bëhet donacioni të ndryshojë.

Qëllimi i këtij aktiviteti është që nëpërmjet argëtimit, të rinjtë të mësojnë të japin edhe donacione për bamirësi dhe të sensibilizohen në mënyrë indirekte me kauza që kërkojnë vëmendjen e te gjithëve. Argëtohuni dhe sensibilizohuni të dielën e 22 majit nën shoqërinë e DJ-ve tuaj të preferuar!