Banori i famshëm i “Big Brother”, Ervin Sinjari, njihet për jetën e tij mes Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Tajlandës, vende ku ai lëviz gjatë tërë vitit.
Verën ai e kalon në Tajlandë, si një nga vendet më ekzotike në botë për shkak të klimës së mrekullueshme që ka. Natën e së premtes mbrëma, Ervini me miq ka përjetuar një tmerr të vërtetë në një resort turistik në Jug të Tajlandës, teksa një sulmues me bombë ka shpërthyer veten duke lënë të vdekur një person e dhjetra të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në restorantin që ka ndodhur sulmi ka qenë pikërisht duke darkuar edhe Ervini me miq, por për fat të mirë në kat të dytë. ”Zgjodhëm pikërisht atë lokal, për faktin se bën ushqime shumë të mira dhe ka një ambient të mrekullueshëm, ishim gjashtë shokë duke biseduar, pasi kishim bërë porosinë. Në fakt, nuk më ka shkuar mendja që mund të ndodhte një gjë e tillë, por fati që ishim në kat të dytë e gjithçka shkoi për mrekulli, se ndryshe do ta kishim pësuar keq.
Në momentin që bisedonim, dëgjuam një përplasje të fuqishme ku vendi u lëkund fort, nuk pashë miqtë, por vetëm u hodha nga kati i dytë në mes të rrugës, pashë vetëm njerëz që ulërinin nga frika dhe ika me vrap, më pas kuptova se ishte bombë, por fati që nuk kishte pasur fuqinë e madhe, se ndryshe do çonte lokalin në qiell. Ishte një tmerr i vërtetë që nuk do ta harroj asnjëherë, aq vite që jetoj këtu nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, ka theksuar për Panorama Ervin Sinjari.