Koncesioni i aeroportit të Rinasit i është shitur për rreth 90 milionë dollarë kompanisë kineze “Everbright Global Airport and Investment Fund”.
Lajmin e bën të ditur “Top Channel”-i duke iu referuar burimeve jozyrtare, sipas të cilave marrëveshja tashmë është firmosur.
Megjithatë TIA – kompania qw administron aktualisht aeroportin – zyrtarisht thotë se negociatat vazhdojnë dhe kalojnë në disa faza. “Detaje të mëtejshme preferojmë që të mos jepen, në respekt të negociatave dhe sidomos informacionit të saktë që TIA çmon se opinioni publik duhet të ketë”, tha drejtorja e Komunikimit e aeroportit, Arlinda Çausholli.
“Everbright Global Airport and Investment Fund” është pjesë e kompanisë “China Everbright”, e mbështetur nga shteti kinez dhe e specializuar në menaxhim asetesh me një portofol të gjerë investimesh. Kompania ka ngritur një fond të fokusuar në investime në sektorin e aviacionit, porte dhe infrastrukturë në Evropë.
Në një intervistë për “Hong Kong Economic Journal”, drejtori ekzekutiv i “China Everbright” pati deklaruar se kompania synon të zhvillojë pjesën logjistike të transportit ajror të mallrave.
Ndërsa vetë drejtori ekzekutiv i TIA-s, Rolf Kastro-Vaskez, kur pranoi interesimin kinez tha se shitja synon zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së aeroportit. /Shekulli/