Nishani i dërgon mesazh urimi Jahjagës

Sociale

8-vjetori-i-pavar-euml-sis-euml-s-euml-kosov-euml-s-nishani-i-d-euml-rgon-mesazh-urimi-jahjag-euml-s_hd.jpg

 

Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar homologes kosovare Atifete Jahjaga një mesazh urimi me rastin e kremtimit të 8-vjetorit të pavarësisë.

“Kremtimi i 8-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep mundësinë dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell juve dhe nëpërmjet jush të gjithë shtetasve të Kosovës, urimet më të ngrohta e vëllazërore.

Përfitoj nga rasti që në këtë ditë të rëndësishme, jo vetëm për shtetasit e Kosovës por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi e kontribuesi për paqen në rajonin e Evropës Juglindore”, thuhet në mesazhin e Nishanit.

Kreu i Shtetit shqiptar e siguron Jahjagën, se Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha hapat e saj shtetndërtuese.

“Ju siguroj se, Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha hapat e saj shtetndërtuese, e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre tetë viteve pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e institucioneve dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, ju lutem pranoni, e nderuar Zonja Presidente, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, vijon ai. /Shekulli/