Raporti i inspektimit në sistemin parauniversitar të vendit ka nxjerrë në dritë një shifër që vetë ministrja e arsimit Lindita Nikolla e ka quajtur shokuese. Janë plot 2065 mësues të cilët nuk kanë mbaruar shkollën për lëndën në të cilën japin mësim dhe 1984 të cilët nuk kanë fare një diplomë në fushën e arsimit. Ministrja Nikolla tha se nuk do të lejohet më që as edhe një mësues të jetë në detyrë pa patur diplomën përkatëse. “Nga inspektimi i bërë nga MAS janë gjetur 2065 mësues jashtë profilit të tyre dhe 1984 mësues pa arsimin përkatës. Kjo është shokuese”. Duke vendosur si afat të fundit datën 30 dhjetor, kryeministri Rama tha se brenda këtij viti, të gjithë mësuesit të cilët janë në një vend pune që nuk i takon duhet të largohen. Rama shkoi më tej duke thënë se ata të cilët do të vijojnë të qëndorjnë në punën do të kallëzohen penalisht për shpërdorim detyre. “Brenda dhjetorit ky sistem do të jetë përtokë, asnjë mësues pa arsimin përkatës dhe jashtë profilit. Asnjë nga këta nuk do të figurojë më në asnjë shkollë dhe nuk do t’i marrë më shtetit asnjë rrogë, duke filluar nga janari i ardhshëm. Ne mund ta bejmë këtë gjë. Shqipëria është i vetmi vend në Europe që vjedh veten e vet në mënyrë sistematike.” Kryeministri tha se viti shkollor që do të fillojë do të ketë një sistem ndryshe, i cili do të bëhet në bazë të një konkursi kombëtar dhe nuk do të ketë më emërime nga drejtoritë rajonale. Sistemi i mësuesisë do të bazohet në bazë të krediteve që do të marrë çdo mësues dhe askush nuk do të mund të punojnë pa patur licenzë. “Si mundet një drejtor i zyrës arsimore ta zerë gjumi duke e ditur që në trupën e vet ka mësues pa arsimin përkatës? Pasi t’i heqim qafe këta mësues, do të hyjmë në fazën e liçensimit të mësuesve. Deri në qershor të 2015-es ky sistem do te kete një bazë të dhënash për të gjithë mësuesit, vitet në karrierë, dihen meritat e vërtetuara shkencërisht dhe sigurisht kreditit. Nuk ka vend të Shqipërisë ku nevojat të mos përballohen sipas kritereve.” Edi Rama tha se shkaku kryesor përse ka mbi 20 vite që sistemin arsimor në vend e ka kapur kjo gangrenë është korrupsioni dhe politizimi që i është bërë arsimit. Sipas tij qeveria nuk do të punojë sot për të menduar se si do të marrë një mandat tjetër, sepse votëbesimi i qytetarëve për kabinetin e tij është që të vihet drejtësi tani. Rama tha se do të përballojë çdo kosto politike në mënyrë që të verë në vend sistemin arsimor, të cilin e krahasoi me një vrasje që po i bëhet trurit të së ardhmes sonë. Prezantimi i rezultateve të inspektimit të burimeve njerëzore në arsim u bë përpara dhjetra përfaqësuesve nga drejtoritë arsimore. Në total ky inspektim nxori 26% të mësuesve në sistemin parauniversitar jashtë profilit ose pa arsimin përkatës, të cilët japin dije akoma dhe sot për 177 mijë nxënës.